Arbëri

UNMIK-u e Serbia fajësojnë Kosovën për tensionet në veri

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për zhvillimet në Kosovë, Zahir Tanin, ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për tensionet e shkaktuara në fund të shtatorit në veri të Kosovës. Deklarimet e tij fajësuese për Kosovën kanë qenë të ngjashme me ato që ka bërë përfaqësuesi serb.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për zhvillimet në Kosovë, Tanin ka deklaruar se për përshkallëzim shtytës ka qenë mungesa e komunikimit politik.

“Në mëngjesin e 20 shtatorit, Prishtina ka nisur një operacion policor në Kosovën veriore me qëllim të zbatimit të masave të reja për targat. Duke marrë parasysh diskutimet e ndjeshme dhe kamotshme për lirinë e lëvizjes përmes dialogut të mbështetur nga BE-ja do të ishte e natyrshme të pritej një komunikim me ata që preken. Megjithatë, komunikimi ka qenë i pakët apo fare. KFOR-it s’i është dhënë njoftim paraprak”, ka thënë ai duke shtuar se njësitë speciale të Policisë së Kosovës ishin për disa ditë përballë protestuesve që bllokuan rrugët në Jarinjë e Bërnjak.

Image

Ai ka folur edhe për operacioni anti-kontrabandë që në veri u përcoll me protesta e tensione pasi që serbët lokalë kundërshtuan operacionin e Policisë së Kosovës.

“Është diskutabile nëse KFOR-i është njoftuar paraprakisht për dërgimin e njësive speciale. Operacioni provokoi tensione dhe konfrontime që përfunduan me disa të lënduar. Ka pasur edhe kërcënime për jetë të shkaktuara nga të shtënat e policisë. Popullata civile në veri raportoi lëndime nga gazilotsjellës dhe granatat zhurmuese që i përdori policia. Protestuesit gjuajtën me gurë dhe sipas policisë disa të dyshuar përdorën armë zjarri kundër policisë”, ka thënë Tanin.

Sipas Taninit, këto veprime kanë nxitur mosbesim te qytetarët serbë.

Më tej, shefi i UNMIK-ut, ka thënë se e sheh tepër optimiste mundësinë që tash të ketë rifillim të “angazhimit real ndaj dialogut”.

Tanini ka përkrahur edhe marrëveshjet rajonale si ajo e Ballkanit të Hapur, që është kundërshtuar nga Kosova.

“Dua të theksoj që qasjet praktike rajonale kanë filluar të evoluojnë duke shfrytëzuar interesin e përbashkët në rritjen e prosperitetit si një nxitës për të bërë një rajon më stabil. Ashtu si Procesi i Berlinit pas së cilit u ndryshua pjesërisht emërtimi në nisma për Ballkanin e Hapur e promovuar nga presidenti Vucic kryeministri Rama dhe Zaev është sipas mendimit tim një hap premtues pikërisht në këtë drejtim përkundër dallimet për detajet dhe formën e kësaj nisme”, ka deklaruar ai.

Tanini ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të përqendrohet në rindërtim të lidhjeve të besimit midis të gjitha komuniteteve.

“Ngjarjet e javëve të kaluara me tendencën për të minuar përparimin e qëndrueshëm por të brishtë në mirëbesimin e arritur mes komuniteteve janë shqetësim i thellë për mua dhe duhet të jenë paralajmërim për të gjithë anëtarët e këtij Këshilli”, ka thënë në fund të fjalimit të tij Tanin.

Image

Me qëndrime të njëjta fajësuese për Kosovën është paraqitur edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq.

“Gjendja e sigurisë në Kosovë në periudhën e kaluar është shënuar me numër të rritur të sulmeve me prapavijë etnike e shënjestër serbët. Institucionet e përkohshme kanë vazhduar të ndërmarrin hapa të njëanshme. Diskriminimi ndaj serbëve dhe kishës serbe ka vazhduar. Veprime të tilla po ndërmerren çdo ditë nga Prishtina me ritëm të përshpejtuar dhe janë duke i shkelur marrëdhëniet e arritura nga dialogu në Bruksel”, ka thënë ai.

“Ka çuar në krizë të rrezikshme, janë dërguar në vendkalimet kufitare mes Serbisë dhe Kosovës për të hequr targat e Serbisë dhe për t`i zëvendësuar ato me targat e përkohshme duke bllokuar kështu lirinë e lëvizjes së qytetarëve tanë. Ne duhet të trajtojmë më këtë rast në mënyrë që të gjithë të kuptojnë se sa dramatike është situata në teren dhe sa janë pasojat e veprimeve të një anshme të Prishtinës. Këto janë provokime që kanë potencial që të destabilizojnë situatën. Qëllimi i hyrjes së forcave speciale në veri ishte provokim i serbëve dhe intimit i serbëve me forcë dhe për të provokuar Beogradin për të reaguar ngutshëm”, ka deklaruar Selakoviq.