1 perditesime
13:50

Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të katërt kundër Mustafës, i pesti më 2 nëntor

Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të katërt në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Dëshmia e tij është dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun, ndërsa në fund të seancës, kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt-Foglia, ka bërë të ditur se dëgjimi i dëshmitarit të pestë, që është gjithashtu i mbrojtur, do të dëgjohet më 2 nëntor.

Dëshmitari i katërt i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që mban kodin W03594 dhe që ka dëshmuar nën masa mbrojtëse të sigurisë, duke iu fshehur identiteti, ka thënë se ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që prej marsit të vitit 1998.

Ai ka filluar të japë dëshminë e tij më 12 tetor dhe për tri ditë, seancat në të shumtën e rasteve kanë qenë të mbyllura për publikun.

Megjithatë, në seancën e parë të dëshmisë së tij, dëshmitari i katërt i mbrojtur ka thënë se është mbajtur në një objekt në fshatin Zllashë nga data 4 deri më 18 apo 19 prill, ku sipas tij, është dërguar nga dy persona me maska dhe të veshur me uniformën e UÇK-së. Sipas tij, aty është trajtuar në mënyrë çnjerëzore.

Në gjykimin ndaj Salih Mustafës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të ZPS-së, të gjithë të mbrojtur.

Dëshmitari i pestë i mbrojtur, i cili mban kodin W04603, do fillojë me dëshminë më 2 nëntor.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja dhe kjo ndodhi më 24 shtator 2020, pasi aktakuza ndaj tij u konfirmua më 12 qershor 2020, me pretendimin për krime lufte.

Në paraqitjen e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm. /ksp

12:36

Gjykimi ndaj Mustafës, marrja në pyetje e dëshmitarit në seancë private

Dëshmitari i katërt i mbrojtur, me kodin “W03594”, të enjten e ka vazhduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë, ku gjatë parashtrimit të pyetjeve nga mbrojtësja e viktimave, Anni Pues dhe trupi gjykues, seanca është mbajtur e mbyllur për publikun.

Ndryshe, në këtë seancë avokati mbrojtës i Mustafës, Julius Von Bone, ka bërë të ditur se nuk kanë pyetje shtesë për dëshmitarin.

Pas kthimit, nga seanca private në atë publike, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt- Foglia, ka bërë të ditur se do të mbajnë një pauzë në kohëzgjatje prej një ore për shkaqe të organizimit teknik. Seanca ka rinisur tashmë. /BetimiPërDrejtësi