1 perditesime
Arbëri

Zyrtari i MPJD-së Ardian Selishta kërkon demantim të informatave të ofruara nga kjo Ministri

Zyrtari i MPJD-së Ardian Selishta kërkon demantim të informatave të ofruara nga kjo Ministri
Për vite rresht, zyrtarë të ish-Ministrisë së Diasporës nuk kanë arsyetuar me fatura dhe dëshmi të tjera rreth 21 mijë e 500 euro, të cilat u ishin dhënë si avancë për udhëtime zyrtare. Nga këto, diku 13 mijë e 500 euro ishin tërhequr vetëm nga një zyrtar. KOHA ka siguruar shumat e tërhequra nga secili zyrtar

Zyrtarë të ish-Ministrisë së Diasporës për vite rresht nuk kanë arsyetuar me fatura dhe dëshmi të tjera rreth 21 mijë e 500 euro, të cilat u ishin dhënë si avancë për udhëtime zyrtare.

15:24

Zyrtari i MPJD-së Ardian Selishta kërkon demantim të informatave të ofruara nga kjo Ministri

Pas publikimit të stories që hedh dritë mbi zyrtarë të ish-Ministrisë së Diasporës që për vite rresht s’i kishin arsyetuar 21,500 euro harxhime në udhëtime zyrtare, ka reaguar Ardian Selishta, një nga këta zyrtarë.

Por, në tërësinë e tij, artikulli është bazuar në dokumente të siguruara nga Ministria e Punëve të Jashtme, pas një kërkese që KOHA ka bërë për qasje në dokumente publike. E pikërisht në këto dokumente, z. Selishta është identifikuar si një nga zyrtarët që avance nuk i kanë mbyllur në vitet 2017, 2018, 2019 ose 2020.

KOHA qëndron pas gjithë përmbajtjes së raportimit, ani se z. Selishta në reagimin adresuar në redaksi ka kërkuar që të demantohet pjesa e raportimit që lidhet me të dhënat për të. Si arsye për këtë, ka bashkëngjitur një dokument për të cilin ka thënë se “vërteton” se ai ka mbyllur avancën në muajin dhjetor 2020.

Megjithëkëtë, dokumenti i bashkëlidhur, i cili nuk ka as ndonjë vulë protokollimi, nuk mban datën që tregon kohën e kthimit të mjeteve të avancës prej rreth 1 mijë e 500 eurosh që z. Selishta i kishte marrë për një udhëtim zyrtar në 2020-n. Madje, data e kthimit nuk saktësohet as në një komunikim që ai e ka pasur me një zyrtare të dikasterit ku ndodhen informacionet mbi avancat.

Artikulli dhe storia e publikuar janë bazuar në informatat që mbajnë dokumentet e siguruara nga Ministria, pasi asaj i ishte kërkuar qasje në “avancat e pambyllura të udhëtimeve të zyrtarëve të Ministrisë së Integrimit Evropian për vitet 2017, 2018, 2019 dhe 2020”, përfshirë emrat e secilit zyrtar që ka marrë avance që nuk janë mbyllur.

Krahas emrave të zyrtarëve që s’i kishin kthyer avancat, të cilët Ministria ia ka vënë në dispozicion KOHËS, është dhënë edhe ky shpjegim:

“Kabineti i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës është vënë në dijeni të avanseve të pambyllura nga ish Ministria e Diasporës, nëpërmjet rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditorit përmes Raportit të Pasqyrave Financiare.

Si rrjedhojë, përmes Planit të veprimit të auditimit është paraparë që të adresohet kjo çështje deri në shtator të këtij viti, kur edhe është arritur të përmbyllet kjo çështje përmes mbylljes së avanseve”.

Pra, sipas përgjigjes së Ministrisë, z. Selishta e ka mbyllur avancën tek në shtator të vitit 2021.

Megjithëkëtë, edhe sikur të qëndronte pohimi i z. Selishta avancën e ka mbyllur gjatë vitit fiskal 2020, përkatësisht në muajin dhjetor të atij viti, i bie që këtë e ka bërë në shkelje të procedurave.

Sipas dokumenteve, avanca prej 1,469.70 eurosh ishte tërhequr më 4.2.2020, ndërkaq Udhëzimi Administrativ për Udhëtime Zyrtare kërkon që mjetet të cilat merren si avancë për të tilla udhëtime duhet të arsyetohen në një afat prej 15 ditësh pas kthimit.

Z. Selishta i ishte dhënë mundësia për ta ofruar versionin e tij mbi vonimin në mbylljen e kësaj avance, por nuk ka pasur një përgjigje para publikimit të stories. Pyetjet i ishin përcjellë nëpërmjet Zyrës për Informim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, konform qarkores e cila kërkon që stafi të komunikojë me media vetëm nëpërmjet kësaj zyre.


Dokumenti i ofruar nga MPJD

Image

Dokumenti i ofruar nga Selishta

 

Image
19:14

Zyrtarë të ish-Ministrisë së Diasporës s’i kanë arsyetuar 21,500 euro harxhime në udhëtime zyrtare

Zyrtarë të ish-Ministrisë së Diasporës për vite rresht nuk kanë arsyetuar me fatura dhe dëshmi të tjera rreth 21 mijë e 500 euro, të cilat u ishin dhënë si avancë për udhëtime zyrtare.

Kjo ministri është fuzionuar në atë të Punëve të Jashtme dhe tek në shtator zyrtarët janë përballur me kërkesën për t’i kthyer paratë.

Në Ministri kanë konfirmuar këtë të dhënë.

“Kabineti i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës është vënë në dijeni të avancave të pambyllura nga ish-Ministria e Diasporës, nëpërmjet rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditorit përmes Raportit të Pasqyrave Financiare”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. “Si rrjedhojë përmes Planit të veprimit të auditimit është paraparë që të adresohet kjo çështje deri në shtator të këtij viti, kur edhe është arritur të përmbyllet kjo çështje përmes mbylljes së avancave”.

Pas një kërkese për qasje në dokumente publike, Ministria e Punëve të Jashtme ia ka vënë KOHËS në dispozicion shumat që secili zyrtar nuk i kishte arsyetuar.

Kampion për shumën e paarsyetuar është Avdyl Lipoveci. Ai nuk kishte faktuar harxhimet në vlerë rreth 13 mijë e 500 euro, për një udhëtim zyrtar të realizuar në vitin 2017 dhe për 6 të tjera në vitin pasues.

Ejup Kamberaj për tri udhëtime zyrtare të realizuara gjatë 2019-s kishte marrë si avancë 3 mijë e 700 euro. Me vendim, atij do t’i ndalen nga paga shuma e avancave që nuk ka mundur t’i arsyetojë.

Ardian Selishta për një udhëtim në 2020-n i kishte marrë avancë rreth 1 mijë e 500 euro, e një vit më herët Shqipe Shasivari 299 euro. Asnjëri nga ta nuk kishte arsyetuar harxhimet deri sivjet.

Ndërkaq dy zyrtare të tjera, që për një udhëtim secila kishte tërhequr avancë nga 1 mijë e 288 euro, vlerën e shpenzimeve të pambuluara me fatura e kishin kthyer me kohë, por mbyllja e avancave ishte vonuar për arsye të fuzionimit të Ministrive.

Nëpërmjet Ministrisë, KOHA ka kërkuar nga secili prej këtyre zyrtarëve arsyet që lidhen me moskthimin e parave të marra si avancë. Përgjigjet kanë munguar.

Të tilla para ishin mbajtur, ani se Udhëzimi Administrativ për Udhëtime Zyrtare kërkon që mjetet të cilat merren si avancë për të tilla udhëtime duhet të arsyetohen në një afat prej 15 ditësh pas kthimit.