Arbëri

Nxënësit pa libra, MASHTI fajëson drejtoritë e arsimit

As pas afro dy javësh që ka filluar viti shkollor, nxënësit ende nuk janë pajisur me të gjitha tekstet shkollore nga Ministria e Arsimit.

Edhe pse viti shkollor ka filluar me katër javë vonesë, nëpër shkolla flasin për vështirësitë që kanë, ndërkohë MASHTI thotë se tekstet janë shpërndarë në bazë të kërkesave të drejtorive të arsimit.

Me mungesë të teksteve shkollore po përballen më së shumti nxënësit e klasave të gjashta, të shtata dhe të nënta, ku për këto klasa MASHTI ka shpërndarë vetëm tekste alternative.

“Për klasën e nëntë na kanë treguar zyrtarisht që nuk do të ketë sivjet, ndërsa për të gjashtën, shtatën, të tetë vetëm librat alternativë dhe nëse nuk kemi në stoqe rezerva të bëjnë zgjidhje prindërit apo nxënësit të shkëmbejnë me shokët dhe shoqet e tyre nëpër shkollat e tjera”, ka thënë Visar Osmani, drejtor i shkollës fillore “Emin Duraku”.

Për klasat e gjashta në këtë shkollë po mungon edhe Libri i Gjuhës Shqipe.

“Jemi munduar me stafin e shkollës t’i sigurojmë nxënësit nga vitet e kaluara, mirëpo duke pasur parasysh se e kemi librin bazë dhe librin Fletore Pune, libri Fletore Pune është i shkruar, janë plotësuar nga viti i kaluar, prandaj ka pak rënie të interesimit. Mirëpo shpresojmë që ditëve në vijim të sigurohen, në të kundërtën duhet prindërit ata të cilët mbesin pa i siguruar tekstet t’i sigurojnë vetë”, ka thënë Zarife Bajgora-Godanci, arsimtare e gjuhës shqipe

Edhe nxënësit thonë se kanë vështirësi për t’i kuptuar mësimet.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Arbrie Nagavci, ka fajësuar drejtoritë komunale se nuk kanë qenë në nivelin e detyrës.

“Bazuar në kërkesat që i kanë bërë komunat, MASHTI i ka kontraktuar shtëpitë botuese dhe e ka bërë shpërndarjen e teksteve shkollore. Pra, shpërndarja e teksteve është bërë në respektim të plotë të kërkesave që kanë ardhur nga drejtoritë komunale të arsimit. Ju informoj se si ministri nuk kemi pranuar asnjë ankesë në raport me tekstet shkollore nga drejtoritë komunale të arsimit. Pas pranimit të shqetësimeve nga ana e prindërve dhe njoftimeve nga disa mësimdhënës, kam dërguar disa komisione që të bëjnë vizita në shkolla për t’u siguruar nëse procesi i shpërndarjes së teksteve nga DKA-të është realizuar në bazë të kërkesave të parapara”, ka thënë Nagavci.

Qeveria gjatë korrikut ka ndarë 4 milionë euro shtesë për blerjen e teksteve shkollore.