Arbëri

Gashi: Në burgjet e Dubravës e Lipjanit 85 nxënës po ndjekin mësimet

Descriptive Text

Ali Gashi, zëvendësdrejtor në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka thënë se sipas vendimeve që ka nxjerrë Qeveria kanë krijuar lehtësira për të burgosurit.

Sipas tij, gjatë kohës sa kishte masa janë lejuar vetëm telefonatat.

Ai ka thënë se tash familjarët mund t’i vizitojnë të burgosurit edhe në vikende.

“Konform vendimit të Qeverisë ne i kemi reduktuar vizitat e vikendet, por kur kanë lejuar rrethanat ne i kemi lejuar ato. Për shkak të pandemisë, aktivitetet kanë qenë të kufizuara. Sa i përket çështjes së arsimit ne kemi vepruar sipas vendimit të MASHT-it, kur ka filluar në nivel vendi, ka filluar edhe te ne. Ka qenë pak e vështirë sepse përpos që nuk janë lejuar vizitat ka qenë problem tjetër se edhe brenda institucionit lëvizjet kanë qenë të kufizuara. Në bashkëpunim me spitalet dhe ambulantat kemi arritur të menaxhojmë me situatën me COVID. Më shumë të infektuar kemi pas nga stafi se sa nga të burgosurit”, ka thënë ai.

Sipas tij, të burgosurit që janë pranuar janë vendosur në karantinë dhe pas një periudhe të caktuar kohore janë vendosur në pjesën e përcaktuar.

Duke folur për procesin mësimor, ai ka thënë se kanë dy paralele të ndara të qendrave amë, një në Lipjan dhe një në Dubvravë. Ai ka thënë se organizojnë mësimin fillor dhe të mesëm.

Sipas tij, janë siguruar të gjitha hapësirat e nevojshme të mjaftueshme.

Ai ka thënë se aktualisht janë 85 nxënës, 60 në Dubravë dhe 25 në Lipjan.

“Këtë vit falë donatorëve kemi siguruar pajisje teknologjike që procesi mësimor të zhvillohet pavarësisht situatës. Studimet universitare i ndjekin edhe tre të burgosur, dy meshkuj dhe një femër. Ata kanë treguar sukses. Kur ata iu nënshtrohen testeve, ne i dërgojmë dhe pastaj i kthejmë përsëri”, ka thënë ai.