Arbëri

Sveçla: Ka përfunduar koha kur Kosova nënshtrohet, mesazhin e kanë kuptuar Beogradi e Brukseli

Descriptive Text

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se ka përfunduar epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet, dhe se sipas tij, këtë mesazh tashmë e kanë kuptuar Beogradi dhe Brukseli. Ai ka shkruar në Facebook se Kosova ka Qeveri sovrane “të cilën askush nuk mund ta shantazhojë për shkak të hiseve në krim e korrupsion”.

“Përderisa Republika e Kosovës tregoi se ka institucione demokratike dhe profesionale, dhe se është e përkushtuar për rend dhe ligj, Serbia përgjatë 13 ditëve përdori të gjitha mjetet, përfshirë dhe veprimtarinë e vet kriminale përmes bllokimit të rrugëve, kërcënimeve për serbët lokal, shantazhit e sulmeve terroriste në institucionet publike. Por, as kjo ndërmarrje kriminale e sponsorizuar nga qeveria e Serbisë nuk arriti të zbrapsë Kosovën dhe njësitë tona speciale nga zbatimi i vendimit legjitim”, thuhet në statusin e tij në Facebook.

I pari i MPB-së ka potencuar se mbi parimin e reciprocitetit, Kosova ka vendosur të bashkëpunojë me aletatët.

“Sovraniteti dhe ligjshmëria do të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me çdo kusht. Krimi dhe korrupsioni do të luftohen në çdo cep. Policia e Kosovës e dëshmoi për 13 ditë se përveç që është profesionale është edhe gatshme të kryej misionin e saj me sukses”, thuhet tutje.

“Reciprociteti me Serbinë u vendos me 20 shtator, dhe u zbatua në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës, dëshmoi se është polici profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim.”