Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media për aksionin e zhbllokimit në veri të vendit, ka thënë se tash kjo zonë i është kthyer normalitetit.
Të shtunën, në ditën e 13-të u larguan bllokadat nga rrugët që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, në Bërnjak e Jarinjë. Pas protestuesve serbë që kundërshtonin reciprocitetin për targat, u larguan edhe Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës. Në këto hapësira, sipas marrëveshjes së arritur të enjten në Bruksel, për dy javë do të qëndrojnë pjesëtarët e KFOR-it.
“Referuar zhvillimeve dhe marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve, sot më 02 tetor 2021 në ditën e trembëdhjetë (13), pengesat/barrikadat e krijuara në të gjitha lokacionet kanë filluar të largohen nga vet personat të cilët i kanë vendosur ato dhe rrugët në drejtim të pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë liruar për qarkullim. Pas lirimit të rrugëve për qarkullim dhe largimit të pengesave, e personave të cilët në shenjë proteste kanë qëndruar në ato lokacione, njësitet speciale operative të Policisë së Kosovës kanë filluar lëvizjen e tyre nga pikat e vendosura drejt stacioneve policore. Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit, përderisa njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore”, thuhet në njoftim të Policisë.