Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se është duke i përcjellë me shqetësim të madh hamendjet e Qeverisë së Kosovës rreth aprovimit të planeve investive Compact të agjencisë amerikane MCC në infrastrukturën përgatitore për rrjetin e përçuesit të gazit, si dhe planeve për termocentral me gaz natyror.
Sipas PDK-së, në kohën kur ekonomia kosovare ka përjetuar goditje dhe është duke u përballur me pasojat e pandemisë, si dhe po vuan mungesën e një plani të mirëfilltë e të qëndrueshëm për rimëkëmbje ekonomike, investimi i 200 milionë dollarëve si grant i pakthyeshëm në ekonominë kosovare, sidomos në sektorin e energjisë, përfaqëson edhe interes madhor shtetëror.
“PDK i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të aprovojë dhe nënshkruajë pa vonesë projektin e MCC për ndërtimin e infrastrukturës për gazpërçuesin dhe termocentralin me gaz. Në përputhje me kushtet amerikane tashmë të aprovuara nga Qeveria paraprake, kërkojmë që urgjentisht të procedohet në Kuvend edhe kredia e BERZH dhe granti i Kornizës Investive të Ballkanit Perëndimor për gazpërçuesin, me qëllim të kompletimit të kornizës investive në Kosovë”, thuhet në deklaratën e PDK-së.
PDK-ja ka thënë se vonesat prej gjashtë muajsh në trajtimin me prioritet të këtij interesi shtetëror tashmë kanë krijuar një rrezik të madh për mbarëvajtjen e këtij projekti.
Dështimi eventual i tij, jo veç që cenon raportet tona, por njëkohësisht do ta lë Kosovën përjetësisht jashtë mundësisë së diversifikimit të burimeve energjetike, situatë që i shkon në favor vetëm Serbisë dhe forcon pozicionin e Rusisë në rajon. Për më tepër, diversifikimi i burimeve energjetike është jo vetëm kërkesë e vazhdueshme e të gjitha qeverive amerikane, por është në dobi të ekonomisë së Kosovës dhe hap mundësi dhe perspektivë shumëdimensionale për vendin tonë. Një projekt i tillë do të lehtësonte edhe koston e energjisë për familjet kosovare, e cila aktualisht është shumë e lartë dhe do t'i dëmtojë edhe më shumë qytetarët dhe ekonomitë familjare. Po ashtu do të ndikonte dukshëm në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit dhe përmirësimin e gjendjes ambientale”, thuhet në reagim.