Arbëri

Dita e dhjetë e bllokimit të rrugëve në veri, Bislimi e Petkoviq takohen në Bruksel

Descriptive Text

E mërkura shënon ditën e dhjetë të bllokadës së rrugëve që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Serbët të pakënaqur me masën e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia të vendosur nga Qeveria e Kosovës, kanë bllokuar rrugët me kamionë ne vetura, ndërkohë që shumë prej tyre edhe po qëndrojnë aty.

Nata e fundit, sipas mediave lokale në veri, ka kaluar pa i incidente sikur edhe netët tjera.

Anëtarët e Njësisë Speciale Operative të Kosovës po qëndrojnë në këto pika, ndërkohë që është shtuar edhe prania e pjesëtarëve të KFOR-it.

Për këtë çështje, sot në Bruksel prite të takohen shefat e grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se ky është hapi i parë pozitiv për shtensionim të situatës në pikat kufitare. Situata është tensionuar me patrullimet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, qoftë me aeroplanë, helikopterë apo mjete të blinduara.

“Ata do të shfrytëzojnë platformën e dialogut për të shqyrtuar mundësitë e shtensionimit të situatës, pasi ajo që po ndodh nuk është e mirë për popullin e Kosovës e të Serbisë, por as për të rajonit”, ka thënë Stano.

Shefi i BE-së, Josep Borrell, në deklarimin e djeshëm ka thënë se është e rëndësishme që shefat e grupeve negociatore “të vijnë me mandatin për të folur për të ardhmen dhe për të gjetur zgjidhje afatgjate në interes të qytetarëve”.

Serbët kanë refuzuar propozimin e KFOR-it që ata të sigurojnë pikat kufitare me kushtin që të hiqen barrierat nga rrugët. Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri kanë kërkuar që të hiqet edhe masa e reciprocitetit.