Arbëri

Thaçi: Nesër në Bruksel do të shkëmbejmë idetë fillestare për fazën e re të dialogut

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se nesër në Bruksel, së bashku me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të diskutojnë dhe shkëmbejnë idetë fillestare për fazën e re të dialogut.

“Nesër, në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me zonjën Mogherini dhe presidentin e Serbisë, do të diskutojmë dhe shkëmbejmë idetë fillestare për mënyrën se si do të vazhdojmë dialogun në fazën e re dhe objektivat që synojmë të arrijmë në kuadër të procesit të normalizimit”, ka shkruar Thaçi, transmeton Koha.net.

Ai më tutje thotë se ky takim dëshmon përkushtimin e Kosovës për normalizimin e plotë të marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, që sipas tij është kriter kyç për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.

“Ky është vetëm takimi fillestar në këtë fazë të re të dialogut, që dëshmon përkushtimin tonë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, që është kriter kyç për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka ftuar partitë politike që të kenë unitet për çështjet e interesit shtetëror.

“Duke marrë në konsideratë detyrat e shumta që i presin institucionet e reja që duhet të krijohen pa humbur kohë, ftoj për untitet të gjitha partitë politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës në të gjitha çështjet e interesit shtetëror. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pikërisht një çështje prioritare e interesit shtetëror, prandaj unë do të punoj me këmbëngulje që të jemi të bashkuar si institucione shtetërore dhe parti politike parlamentare pa përjashtim”, ka shkruar ai.