Arbëri

KMDLNJ: Borrelli dhe Lajçaku po imponojnë arbitraritet për Kosovën

Descriptive Text

Këshilli për Mbrojtje të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka deklaruar se zyrtarët e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell, janë lehtësues për Serbinë dhe shtrëngues për Kosovën, në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, KMDLNJ-ja shkruan se “Borrelli dhe Lajçak, në vend se të ofrojnë neutralitet, ata po mundohen të imponojnë arbitraritet”.

“Madje, Borrelli në mënyrë ultimative urdhëroi që të tërhiqet Njësia Speciale e Policisë së Kosovës dhe të largohen barrikadat thuaja se edhe këto janë vendosur nga Qeveria e Kosovës. Ekstremistët dhe kriminelët serbë, të shtytur dhe të përkrahur 100% nga Serbia përveç se që kanë bllokuar rrugët drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, kanë shkatërruar pasurinë shtetërore duke ua futur zjarrin qendrave për regjistrim të automjeteve në Zubin Potok dhe Zveçan. Pjesë aktive e bllokimit të rrugëve , përkrahjes së protestave të kundërligjshme ishin deputetë të Listës Serbe, të udhëhequra nga Goran Rakiq i cili, në mënyrën më të paskrupullt dezinformoi opinionin për kinse dhunë ndaj protestuesve serbë nga Policia Speciale e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

KMDLNJ shkruan se Policia e Kosovës ka për detyrë t’i largojë pengesa në rrugë dhe të krijojë kushte për liri të lëvizjes.

“Nëse situata kthehet në pikën zero dhe nëse nuk ndërmerren masa ndaj bllokuesve të rrugës si dhe ndaj atyre që bënë vepra kriminale ndaj institucioneve të Kosovës si edhe ndaj atyre që i përkrahën në mënyrë aktive e që paguhen nga taksat e qytetarëve të Kosovës , atëherë ç’kuptim kishte dërgimi i Njësive Speciale të Kosovës. Në fakt po del se Policët Specialë të Kosovës po e luajnë rolin e inkasantëve të Prishtina Parkingut”, thuhet tutje.

Këshilli potencon se Kosova po sillet sikur të mos kishte Ministri të Punëve të Jashtme dhe përfaqësim diplomatik në shumë shtete të botës, dhe nga kjo, ka rënë në pozitën e lypësit “duke kërkuar që miqtë ndërkombëtare të bëjnë presion te Serbia që t’i heq barrikadat e që janë në territorin e Kosovës”

“Borrell dhe Lajçak nuk janë të paanshëm por më shumë sillen si emisarë të Vuçiqit , kriminelit të luftës se sa që janë lehtësues të BE -së. KMDLNj , edhe më parë ka deklaruar që taksa, ose duhet të hiqet nga dy shtetet ose duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë. KMDLNj është që kjo taksë të hiqet krejtësisht nga dy shtetet kurse në Kosovë duhet të jenë të vlefshme vetëm targat RKS. Në gjithë këtë kaos të organizuar, është fat që nuk ka viktima në njerëz”