1 perditesime
15:59

Osmani: Masakra ndaj familjes Deliu është dëshmi e egërsisë së forcave gjenocidale serbe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se masakra  ndaj familjes Deliu është dëshmi e egërsisë së forcave gjenocidale serbe dhe se ende nuk i ka dhënë përgjigje drejtësia.

Ajo ka thënë se planifikuesit dhe ekzekutuesit duhet të dalin para drejtësisë e të marrin dënimin e merituar.

Më 26 shtator të vitit 1998, 23 anëtarë të familjes Deliu, përfshirë edhe një fëmijë i moshës 2-vjeçare u masakruan nga forcat serbe në Abri të Epërme të Drenasit.

“Më 25 shtator 1998, Familja Deliu ishte strehuar në mal, duke kërkuar shpëtimin nga barbaria e forcave gjenocidale të regjimit të Serbisë. Një ditë më pas, më 26 shtator 1998, 23 anëtarë të familjes Deliu nga mosha 2-vjeçe e deri në moshën 94-vjeç u masakruan po në këtë vend. Sot i kujtojmë me dhimbje të gjithë ata fëmijë, pleq, gra e të rinj, të cilët u qëlluan nga afër vetëm pse ishin shqiptarë. Sot i kujtojmë edhe dëshmorët: Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari, të cilët ranë dhe janë dëshmi e sakrificës për liri. Masakra ndaj Familjes Deliu është dëshmi e egërsisë së forcave gjenocidale serbe, së cilës ende nuk i ka dhënë përgjigje drejtësia. Planifikuesit dhe ekzekutorët duhet të dalin para drejtësisë si një parakusht që aktet e tilla barbare të mos përsëriten në asnjë cep të botës. Paqja ka kuptim vetëm atëherë kur duke kujtuar të kaluarën, adresojmë përgjegjësinë për njerëzit tanë që u vranë. Përpjekja jonë nuk do të ndalojë asnjëherë që ata të cilët e kryen këtë akt mizor, të dalin para drejtësisë. Këtë ua kemi borxh viktimave dhe familjeve të tyre! Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Abrisë!” – ka shkruar Osmani në Facebook.

14:40

Kurti në Abri të Epërme: Kjo masakër na përkujton se sa i madh ishte çmimi i lirisë

Në përvjetorin e 23-të të masakrës në familjen Deliu, në Abri të Epërme të Drenasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, dhe deputetë të Kuvendit, kanë vënë kurora të freskëta lulesh dhe kanë bërë homazhe para varreve të dëshmorëve.

Pas homazheve kryeministri Kurti ka thënë se këta dëshmorë e martirë i kujtojnë se sa i madh ka qenë çmimi i çlirimit dhe lirisë.

“Të gjithë këta dëshmorë e martirë neve na e kujtojnë e na e përkujtojnë se sa i madh ka qenë çmimi i çlirimit edhe i lirisë, që rrënjët e tyre i kanë në gjakun e të vrarëve tanë. As emri i tyre nuk do të harrohet kurrë e as gjaku i tyre nuk do të humb kurrë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri tha se si krerë të institucioneve të Kosovës e kanë për obligim që të angazhohen për drejtësinë për ta, meqenëse as urdhërdhënësit e as ekzekutorët nuk janë ndëshkuar.

“Është dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë që ka dashur ta shfarosë popullin tonë nga trojet e veta autoktone. Bashkë me neve është edhe Mentori, i cili e mban mend masakrën e 26 shtatorit të vitit 1998 meqë në atë kohë ka qenë 9 vjeç dhe dy motrat e tij, 14 vjeçare dhe 16 vjeçare janë vrarë në atë masakër bashkë me babën e tij dhe axhën e tij”, ka thënë kryeministri Kurti.