Ditën e gjashtë të protestës në Jarinjë, Serbia e ka vëzhguar me aeroplanë luftarakë. Të shtunën, dy të tillë kanë qarkulluar tri herë brenda territorit serb. Por, situatë e njëjtë nuk ka qenë edhe në dy komunat me shumicë serbe, në mesnatën e së premtes. Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok e Zveçan janë sulmuar nga persona të panjohur deri më tash. Derisa ajo në Zubin Potok është bërë shkrumb, granatat e hedhura në objektin e qendrës në Zveçan nuk kanë eksploduar. Situata në veri të Kosovës ka nxitur reagimin e krerëve të institucioneve e të partive politike në vend
Dy incidentet në komunat veriore në mesnatë, e kanë rritur tensionin mes Kosovës dhe Serbisë të shtunën. Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok i është vënë zjarri, derisa një gjë e tillë është tentuar të bëhet edhe në Zveçan. Por, dy granata dore të hedhura në drejtim të objektit ku regjistrohen veturat nuk kanë eksploduar.
Gjurmët e flakëve të një nate më parë ishin ende të freskëta në objektin e Komunës së Zubin Potokut, në të cilën gjendet edhe Qendra e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Muri i tij ishte i nxirë, dritaret e dëmtuara e disa karrige po ashtu. Ambientet e qendrës janë bërë shkrumb nga zjarri. Përveç kësaj qendre, sipas Policisë së Kosovës, zjarri ka prekur edhe Bibliotekën e Shtëpisë së Kulturës.
Më vështirë i dallueshëm ishte incidenti i ndodhur një natë më parë në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zveçan. Përveç një xhami të thyer e të vendosur pranë, objekti i regjistrimit të veturave në Zveçan dukej në gjendje të rregullt. Situata ishte e qetë, derisa përballë objektit ishin të vendosura dy patrulla të Policisë së Kosovës.
Incidentet në dy komunat me shumicë serbe, ndodhën pesë ditë pasi u vendos reciprocitet për targat, me ç'rast nuk lejohet qarkullimi i veturave me targa të Serbisë. Të njëjtat duhet të zëvendësohen me ato të përkohshme.
Manovrat e aeroplanëve të Serbisë
Rreth dymbëdhjetë orë pas incidenteve në veri, vëzhgimi i forcave serbe në afërsi të pikëkalimit kufitar me Serbinë është shtuar. Të shtunën, në tri raste, avionë luftarakë nga territori i Serbisë kanë vëzhguar hapësirën ku serbët lokalë vazhdojnë të mbajnë të bllokuar rrugën për në pikën kufitare. Fiks në orën 12 është bërë manovra e parë. Dy avionët pastaj janë larguar, por për t’u kthyer sërish, saktësisht një orë pas. Brenda 6 minutash, ata kanë bërë dy patrullime. Gjysmë ore pas këtyre zhvillimeve, në hapësirën ajrore të Kosovës është shfaqur një helikopter i KFOR-it.
Gjendje e patensionuar ishte rreth 1.3 kilometra nga pozicionimi i forcave speciale të Policisë së Kosovë, në pikën kufitare me Serbinë. Kufiri në Jarinjë, për të gjashtën ditë me radhë ka qenë i mundur që të kalohet në këmbë.
Derisa bllokada vazhdon të mbetet e njëjta, numri i protestuesve në orët e pasdites së të shtunës është rritur.
Për shkak të situatës së krijuar në veri të Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për mbrëmjen e së shtunës.
Kurti këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për media, ku së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë folur rreth situatës në pikat kufitare dhe djegien e qendrës së regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok e hedhjen e bombave të dorës në Zveçan. Kryeministri i Kosovës ka thënë se situata është nxitur nga Serbia, për shkak se përgjegjësit atje dëshirojnë ta përshkallëzojnë atë.
Kurti: Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar
“Serbia qartazi dëshiron ta ilegalizojë situatën, po sjell deri afër kufirit të Republikës së Kosovës edhe fluturaket e saj, si helikopterët dhe avionët e prodhimit rus, e nëpërmjet këtyre sulmeve e provokimeve, përdoren qytetarët e Kosovës. Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar”, ka thënë Kurti.
Kurti nuk ka dhënë sinjale të tërheqjes së Njësisë Speciale nga veriu, pasi sipas tij, ende nuk ka “pushuar rreziku”.
“Është rrezik evident, si për policët kufitarë, ashtu edhe për pikat kufitare, janë kamionët, buldozerët dhe ata protestues, një pjesë e të cilëve detyrohen t’i largojnë meqenëse dehen në orët e mbrëmjes”, ka thënë ai.
Kurti po ashtu ka deklaruar se kanë pasur ofertë nga faktorët ndërkombëtarë që të shkojnë në Bruksel për të diskutuar, mirëpo kjo është refuzuar nga Beogradi, duke thënë se kushtet e Serbisë “nuk kemi si t’i pranojmë”.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi për t’u pajisur me targa të përkohshme është duke u zbatuar në tërë territorin e Kosovës, dhe se deri më tani janë lëshuar mbi 9 mijë targa të përkohshme. Sveçla e ka quajtur akt kriminal djegien e Qendrës së Regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok.
Thirrja e presidentes Osmani për bashkësinë ndërkombëtare
Në lidhje me këto incidente, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet në SHBA. Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sulmet e fundit janë dëshmi se “Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuçiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon”. Ajo ka bërë thirrje që bashkësia ndërkombëtare të mos e injorojë një gjë të tillë e t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm.
“Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia e përdor në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash, shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuçiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi”, ka shkruar presidentja derisa ka ftuar qytetarët “që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë”.
Opozita për koordinim të institucioneve në lidhje me situatën
Në anën tjetër, situata e ditëve të fundit në veri, ka bërë bashkë opozitën në reagimet e fundit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe NATO-s, të reagojnë ndaj qasjes së Serbisë në situatën e krijuar në veri, duke thënë se kjo e fundit ia ka kërcënuar Kosovës sovranitetin shtetëror.
Përmes një reagimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se Qeveria dhe institucionet e vendit duhet të koordinohen për veprime të rëndësishme, derisa ka theksuar se sulmet ndaj institucioneve në 24 orët e fundit, “nuk duhet lejuar që të jenë prelud i përkeqësimit të mëtejmë të situatës”.
“Në përgjegjësinë e qeverisjes, gjithmonë është e udhës që për vendime të rëndësishme, të ketë koordinim dhe strategji të qëndrueshme. Por, vendimet legjitime të institucioneve të Kosovës, janë vendime sovrane të shtetit të Kosovës, të cilat nuk mund të bllokohen, e mbi të cilat nuk mund të instruktohet kërcënim mbi shtetin tonë. Njëkohësisht, veprimet bllokuese dhe gjuha nxitëse e konfliktuoze e Serbisë ndaj shtetit dhe sovranitetit tonë, duhet të trajtohet seriozisht”, ka shkruar Krasniqi.
Kurse, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në vend duhet të ketë unitet të plotë për situatën aktuale, derisa ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të mbledhë gjithë spektrin politik në vend në një takim. Abdixhiku, në një postim në Facebook, ka thënë se LDK-ja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e tjerë shtetërorë që nga bllokimi i rrugëve, ku kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen e sigurisë.
“Si LDK, kemi shprehur gatishmërinë e plotë për ta ndihmuar në të gjitha kapacitetet që kemi Qeverinë e vendit. Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim - pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot”, ka shkruar Abdixhiku, derisa ka bërë thirrje që ndërkombëtarët të shmangin kërcënimet e Serbisë e tensionet në veri.
Ndërkaq, kreu i partisë tjetër opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar të papranueshme situatën në veri.
“Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj. Njëkohësisht, kërkoj nga Brukseli që të ndërhyjë te Beogradi zyrtar dhe të kërkojë prej tij që të mos e provokojë situatën në veri, por t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara!”, ka shkruar ai në Facebook.
Të hënën, Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia. Tash e tutje, veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Afati i tyre është 60 ditësh, derisa për t`u pajisur me to duhet të paguhet 5 euro. Këtë masë Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që e aplikon për targat e Republikës së Kosovës.