Arbëri

Basha për situatën në veri: Shqipëria të mos heshtë

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipëris, Lulzim Basha, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar lidhur me situatën e tensionuar në veri të Kosovës duke theksuar se është akt kriminal ajo që ka ndodhur së fundmi me djegien e zyrave në Zubin Potok. 

Sipas Bashës, këto akte dhune synojnë destabilizimin e Kosovës dhe krejt rajonit për interesat politike të Aleksandër Vuçiç. Sipas tij, Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, nuk duhet të heshtë por të përdorë të gjithë mekanizmat e saj diplomatike për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës.

“Po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas vendimit të drejtë dhe legjitim të qeverisë për vendosjen e reciprocitetit. Aktet kriminale të ndodhura në 24 orët e fundit të frymëzuara nga Beogradi zyrtar, synojnë destabilizimin e Kosovës dhe krejt rajonit për interesat politike të Aleksandër Vuçiq. Shpreh mbështetjen e plotë dhe të fuqishme për qeverinë e Kosovës, institucionet e saj dhe të gjithë faktorin politik të angazhuar në përballimin e kësaj situate. Detyra e Shqipërisë, edhe si vend anëtar i NATO-s, nuk është të heshtë por të përdorë të gjithë mekanizmat e saj diplomatikë për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate. Nuk mund të tolerohen tanket dhe avionët ushtarakë që mësyjnë kufijtë e Kosovës, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit”, ka shkruar Basha.

Ditë më herët edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shprehu mbështetjen për Kosovën në situatën e tensionuar në veri të fundit. Rama edhe dje në asamblenë e OKB-së bëri thirrje për njohjen dhe pranimin e Kosovës brenda kësaj Organizate.

Sot në Zubin-Potok u dogj ndërtesa e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, ndërsa ajo në Zveçan u sulmua. Incidentet kanë ndodhur në ditën e gjashtë të tensioneve në veri, qëkur serbët kanë bllokuar rrugët kufitare në Bërnjak e Jarinjë, pasi që Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia. Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat e Republikës së Kosovës.