1 perditesime
16:59

Qetë edhe në pikëkalimin kufitar të Jarinjës

Pos hapësirave me bllokada në rrugën që çon në pikëkalimin kufitar të Jarinjës, edhe ky pikëkalim po përcillet me situatë të qetë.

Përveç kolonës së automjeteve, e krijuar nga dita e hënë, nuk vërehen automjete të tjera.

13:22

Situata te protestuesit në Jarinjë vazhdon të jetë e qetë

Në ditën e gjashtë të protestave në pikën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë, situata vazhdon të jetë e qetë.

Protestues serbë po qëndrojnë në tendat e vendosura qe disa ditë, ndërsa rrugët mbesin të bllokuara nga kamionët e vendosur prej tyre.

Forcat policore po ashtu po qëndrojnë afër, që nga momenti i nisjes së zbatimit të masës së reciprocitetit për targat, të hënën që shkoi.

Ndërkaq sipas informacioneve, rreth orës 12, brenda territorit të Serbisë, por afër kufirit me Kosovën, kanë qarkulluar dy avionë të shpejtë luftarakë.

Nga fillimi i protestave deri sot nuk ka pasur incidente në bllokadat në Jarinjë dhe Bërnjak, ndërsa të shtunën në Zubin-Potok u dogj ndërtesa e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, e në Zveçan ajo u sulmua.

Incidentet kanë ndodhur në ditën e gjashtë të tensioneve në veri, me serbët që kanë bllokuar rrugët kufitare në Bërnjak e Jarinjë, pasi që Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia. Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat e Republikës së Kosovës.