Arbëri

Kusari-Lila: Serbia po e sheh se përtej kufirit me Kosovën është një shtet tjetër

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Serbia po e sheh se përtej kufirit me Kosovën, është një shtet tjetër.

Kusari-Lila e ka bërë këtë deklaratë në “Java Sonte me Rronin” në KTV, duke folur për gjendjen në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, dhe vëzhgimin e tyre me helikopterë nga ushtria serbe, pas nisjes së zbatimit të reciprocitetit me targa për veturat serbe që hyjnë në Kosovë.

Pavarësisht kësaj, ajo ka thënë se e brengos ndonjë incident i mundshëm atje.

“Unë besoj që ajo qe po ndodh në veri e tregon prezencën e dy shteteve me sovranitet. Serbia e sheh se përtej kufirit me Kosovën është një shtet tjetër, në këto rrethana, mundet me qenë ndonjë incident brenda dhe ajo më brengos. Incidentet që i kemi parë më herët mes serbëve lokalë dhe me forcat e policisë së Kosovës, kjo është një brengë e cila e jep një element të pasigurisë dhe kontrollit mbi sovranitetin e territorit të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo nuk ka bërë të ditur nëse rrethanat e krijuara në veri mund të ndikojnë në ngrirjen e dialogut Kosovë-Serbi, por ka thënë se VV-ja dëshiron që negociatat të kenë rezultate dhe ato të jenë të zbatueshme.

“Grupi parlamentar i VV-së, duhet të ketë bindjen që procesi duhet të ketë rezultate, dhe duhet të sigurohemi se si procesit i maten rezultatet. Nëse procesi rezultat të vetëm e ka marrëveshjen në letër atëherë çka duhet kur në terren nuk zbatohet”, është shprehur Kusari-Lila, duke shtuar se për vazhdimin e negociatave varet edhe nga pala e tretë dhe jo vetëm nga palët negociuese.


Kusari-Lila për ndërrimin e partive: Gratë gjykohen ndryshe në Kosovë

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se njerëzit në Kosovë nuk janë mësuar të shohin një grua e cila mund të vendosë vetë për bashkëpunim me ndonjë parti apo lider partiak, dhe më pas t’i thotë ditën e mirë kur nuk është e kënaqur.

Kusari-Lila këtë koment e ka bërë teksa ka folur lidhur me kritika ndaj saj, për ndërrimin e disa partive politike në karrierën e saj.

Ajo ka thënë se kur i ka hyrë jetës politike, asnjëherë nuk ka llogaritur se do të bashkëpunojë me një parti të caktuar dhe se ajo do ta shtyjë atë përpara.

“Kurrë s’kam llogaritur që shkojë bashkëpunoj me këtë parti dhe ajo më shtynë përpara. Në skenën politike në Kosovë njerëzit nuk janë mësuar që të shohin një grua e cila mund të vendos vetë që, po mundesh me bashkëpunu me një parti ose lider, dhe kur si pëlqen t’i thotë ditën e mirë”, ka thënë Kusari-Lila në “Java Sonte me Rronin” në KTV.

Sipas saj, shoqëria kosovare e sheh gruan vetëm si grua e një burri, e cila nuk mund të ketë mendim të saj dhe nëse shfaqet përkrah shumë burrave, ka problem moral.

“Në shoqërinë tonë e shohin gruan vetëm si grua e një burri, kjo shihet si një martesë ku ti je besnike ndaj një burri dhe ai është përgjegjës për ty, ti nuk ,mundesh me pas mendim tëndin dhe kur ti je në fotografi me gjithë ata burra ti ke problem, dhe ai problem është moral. Disa herë ka dalë ajo fotografia ime me liderë të ndryshëm politik. Në debate e vërej, në dy tri raste, dikush të lavdëron tjetri menjëherë e nxjerr fotografinë. Nuk është një fotografi që jam unë diku fshehtë. Ato tregojnë një trend të bashkëpunimit që secili në Kosovë e ka, por tek gratë nuk pranohet”, ka thënë ajo.