Arbëri

Dita e katërt - Katër kamionë me zhavorr bllokojnë qarkullimin në urën që çon në Bërnjak

Rruga që çon në pikën kufitare në Bërnjak është bllokuar nga katër kamionë.

Të vendosur krah njëri-tjetrit, ata janë duke pamundësuar lëvizjen e veturave, derisa kalimi i udhëtarëve edhe në këmbë nuk është i lehtë.

Pak metra para bllokadës gjatë ditës kanë qëndruar me dhjetëra serbë.

E gjithë situata është nën vëzhgimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Në Bërnjak të enjten qëndruan edhe ministri Goran Rakiq e deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq.

Pas raportimeve për rrahjen e tre serbëve nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Rakiq ka kërkuar që të zbardhet rasti.

Ai ka thënë se zgjidhja e problemeve të tilla është dialogu.

Raportimet e mediave serbe për rrahjen e tre serbëve në afërsi të pikë- kalimit kufitar në Bërnjak janë demantuar nga Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, 3 shoferët e kamionëve janë ndaluar për shkak të rrezikimit të komunikacionit.

Por, pas verifikimit të tre shoferët janë liruar dhe janë udhëzuar të paraqiten në Stacionin policor Jugu në Mitrovicë.