Arbëri

Osmani takon Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Stoltenberg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja Donika Gërvalla kanë takuar sot në New-York, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg.

Osmani gjatë takimit theksoi se synim themelor i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO.

“Qëllimi ynë është të bëhemi pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë, duke kontribuar për paqen”, tha Osmani, njofton Zyra për media e Presidencës.

Osmani ka folur edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës, që sipas saj është e përgatitur në përputhje me standardet e NATO-s.

“Ne jemi krenarë që ushtarët tanë po marrin pjesë së bashku me ushtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së në një mision të përbashkët ushtarak në Kuvajt. Ky mision, i pari i këtij lloji për Kosovën, është dëshmi e gatishmërisë sonë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale”, tha presidentja Osmani.

Sipas njoftimit, Sekretari i NATO–s, Stoltenberg, e falënderoi Kosovën për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë, bashkëpunëtorë të NATO-s dhe e vlerësoi veprimin e saj si shembull të bashkëpunimit dhe të koordinimit me aleatët.

Osmani po qëndron në New-York dhe ka takuar deri më tash shumë liderë shtetesh e organizatash në margjinat e sesionit të Asamblesë së OKB-së.