Arbëri

Kurti: Kosova e interesuar të kthehet nga konsumatore në ofruese të sigurisë

Descriptive Text

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shteti i Kosovës është i interesuar të avancojë kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mënyrë që të shërbejë përkrah NATO-s në operacionet e ruajtjes së paqes.

Në konferencën “FSK-ja dhe partnerët”, Kurti ka thënë se Kosova dëshiron të bëhet nga një vend konsumator i sigurisë, në ofrues të saj.

“Vizioni ynë për Republikën e Kosovës është një vend që promovon stabilitet dhe siguri; jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin dhe më gjerë. Kosova aspiron të jetë pjesë përbërëse e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë; në veçanti NATO dhe BE. Po ashtu dëshiron të jetë pjesë e nismave rajonale dhe të promovojë marrëdhënie paqësore fqinjësore në mënyrë që të rrisë stabilitetin dhe besimin ndërmjet vendeve në rajon. Republika e Kosovës, merr seriozisht përgjegjësinë e saj kryesore për t’u ofruar siguri qytetarëve të saj. Ne jemi mirënjohës për rolin e rëndësishëm që NATO, përmes KFOR-it, ka luajtur në zhvillimin e sektorit tonë të sigurisë dhe në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë. Sidoqoftë, ne duhet të vazhdojmë të ngrisim institucionet tona për të siguruar mbrojtje dhe siguri për të gjithë qytetarët e vendit tonë, nga një komb që është konsumator i sigurisë te një që është ofrues i sigurisë. Qeveria është e përkushtuar që të avancojë kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mënyrë që të shërbejë përkrah ushtrive të vendeve të NATO-s në operacionet vitale të ruajtjes së paqes”, ka thënë ai, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova e konsideron detyrë dhe angazhim kryesor që të promovojë stabilitet e siguri, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin e më gjerë.