Arbëri

Serbia ankohet pse Kosova s’e vazhdoi marrëveshjen për targat

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është ankuar të martën se përse Kosova nuk e ka vazhduar marrëveshjen e para pesë vitesh për çështjen e targave të veturave.

Të hënën Kosova nisi të heqë tabelat e Serbisë dhe t’ua vendosë ato të përkohshme veturave që hyjnë me targa të shtetit serb, si përgjigje ndaj Serbisë që ka disa vite që ka bërë ngjashëm me veturat të cilat kishin targat e Kosovës (RKS).

Dy shtetet ishin marrë vesh në shtator të 2016-s për mbulimin me letër ngjitëse në pjesë të caktuara të tabelave. Ajo marrëveshja ka përfunduar para një jave, ndërsa tani Petkoviq ka thënë për TV Pink se “autoritetet serbe kanë bërë çmos për ta zgjatur edhe pesë vjet”.

Sipas tij, vendimi i Kosovës për të vendosur reciprocitet për targa “është vendim i njëanshëm”.

Ai ka kërkuar nga qytetarët serbë që kanë bllokuar kufijtë në Jarinjë e Bërnjak në shenjë proteste, “të ruajnë qetësinë e të mos reagojnë nga provokimet e Prishtinës”.