5 perditesime
19:19

Dëshmia kundër Mustafës përmes ballafaqimit të dëshmitarit me fotografi

Saranda Ramaj

Në ditën e dytë të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur kundër ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, seanca ka filluar me deklarimin e të akuzuarit.

Mustafa ka arsyetuar sjelljen e tij në gjykatë, duke thënë se është në situatë stresuese, e menjëherë pas kësaj fjalie, seanca për disa minuta ka kaluar në private ku nuk kanë qasje mediat.

“Që në fillim po ju them se as dëshira ime as qëllimi im nuk është që të mos ju respektoj ju dhe panelin e kësaj gjykate por as zonjën avokate që është ulur atje përballë sepse nuk është as në bindjen time e as në kulturën time, por kohët e fundit më është shkaktuar një stres dhe ky stres po vjen si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm dhe tani po ua them se cili është problemi. Pas 12 muajsh në paraburgim….” – tha Mustafa.

Pjesa e parë e seancës ka vazhduar me intervistimin e këtij dëshmitari nga ana e prokurorit Cezar Michalzuk.

Ai ia ka paraqitur disa fotografi dëshmitarit, dhe ka kërkuar nga ai të dijë nëse i njeh objektet dhe njerëzit që janë në të.

Një nga fotot është bërë publike, e të tjerat nuk kanë qenë të qasshme.

Fillimisht është përgjigjur shkurt në pyetjen e prokurorit,.

“Në atë që po shihet dy kat që është,… unë jam kon në podrum”, tha dëshmitari.

E me pas është pyetur për detaje, por nuk ka qenë i sigurt për to.

“Besoj që ai vendi lartë është, se i kam pas sytë e mbyllur dhe nuk kam mundur me pa kurgjo, po me siguri qaj lartë është”.

Atij i është paraqitur edhe një fotografi. Ka identifikuar dy persona. Njëri, sipas tij, është Fatmir Sopi, por tjetrit nuk ka dashur t’ia përmendë emrin.

OVL e UÇK-së patën deklaruar vitin e kaluar publikisht se Fatmir Sopi, që është përmendur nga dëshmitari, ishte ftuar për dëshmi në këtë gjykatë.

Prokurori e ka pyetur dëshmitarin për pasojat që ka pasur nga qëndrimi i dhunshëm në Zllash, që pretendohet se ka ndodhur.

“Dorën e kam të thyer në 3 vende që m`kanë rrah pastaj, jam bërë operacion në kokë, gishtin e mesit të dorës së djathtë e kam të thyer, dhëmbët mi kanë thyer me shqelma andaj nga kjo gjykatë kërkoj dëmshpërblim se kom nevojë se më ka bo gjysë njeri”.

Ai është pyetur edhe për emrin “Skifterat”, siç është quajtur njësia e UÇK-së që ka qenë e pozicionuar në Zllash, por ka thënë se këtë informatë e ka mësuar vetëm pasi ishte liruar. Ka dhënë fare pak detaje për ditën e lirimit, me arsyetimin se nuk i ka interesuar asgjë në ato momente përveç jeta e tij.

Një pjesë e madhe e seancës gjatë së martës ka qenë private për shkak që mbrojtësja e viktimave ka kërkuar që pyetjet e saj të mos jenë të qasshme për publikun.

Avokati Julios Von Bone, që e përfaqëson Mustafën i ka parashtruar për rreth 30 minuta pyetje dëshmitarit, por për shkak të kohës se kufizuar marrjen në pyetje të dëshmitarit do ta vazhdojë të mërkurën.

17:02

Dëshmitari: Në ditën e parë që më morën më rrahën diku 5-6 orë

Dëshmitari i parë në rastin e Salih Mustafës, ka treguar se në ditën e parë kur e morën në Zllashë, e dërguan fillimisht në një ahur, pastaj në një ahur tjetër, ndërsa thotë se është rrahur diku 5-6 orë atë ditë.

Ai ka treguar se gjatë gjithë kohës sa ishte atje, nuk dinte fare për datë apo orë. Ai tregon se ishte ftohët brenda. Ndërsa e mban mend vetëm datën 18.

Ai thotë se e mban mend këtë datë të lirimit, pasi ishte ofensiva.

I pyetur se ku e dinte se ishte ofensivë, dhe nga po vinin trupat, ai tha se personat që e liruan i thanë se të largohen nga të mundin pasi ka ofensivë nga armiku.

Ai ka treguar se kur ka dal në rrugë kryesore ka parë tanke e vetura të forcave serbe.

Ai tha se eci 5-6 orë për të arritur deri në Prishtinë.

I pyetur nëse në fshatin e tij kishte prani të UÇK-së, ai tha se kishte disa me rroba civile por edhe kishte me uniforma.

Seanca e të martës ka mbaruar. Avokati i Mustafës, Julius von Bonne tha se ka pyetje tjera ku seanca duhet të kalojë e mbyllur për publikun, kështu që më mirë është të vazhdohen pyetjet për të mërkurën.

16:00

Mustafës i lejohet t’i përcjellë seancat me kamerë

I akuzuari nga Dhomat e Specializuara, Salih Mustafa, do të vazhdojë t’i ndjekë seancat e gjyqit përmes videolidhjes.

Kjo është vendosur nga Gjykata, duke u bërë me dije se Mustafa mund të konsultohet me avokatin apo të flasë në këtë formë.

“Kjo nuk dëmton procesin e z.Mustafa që të marrë pjesë në secilën seancë”, ka shtuar gjyqtarja.

Dëshmitari është duke u marrë në pyetje nga avokati mbrojtës i Salih Mustafës, Julius von Bonne.

Dëshmitari ka treguar se si kur kishte arritur në një ahur në Zllashë, ishte goditur me grusht nga një person me kapelë të kuqe, ku i ishin thyer dhëmbët.

I pyetur nga avokati nëse mund ta përshkruaj personin me kapelë të kuqe, ai tha se e pa vetëm nga prapa para se të hipte në veturë, pasi më pas ia vunë thesin në kokë.

Dëshmitari u pyet edhe se ku po e dinte se po shkonte në Zllashë. Ai tha se dy persona, që ishin me uniforma të UÇK-së e që iu prezantuan si të policisë ushtarake, i thanë se po e marrin në Zllashë se do t’ia bëjnë disa pyetje.

12:06

Dëshmitari rrëfen për bodrumin ku pretendon që është keqtrajtuar

Dëshmitari është pyetur nga Prokuroria për “Skifterat”, derisa ka thënë se nuk ka informacion nëse personat që e kanë mbajtur të lidhur i kanë takuar kësaj njësie.

Dëshmitarit i është prezantuar një fotografi nga Prokuroria, ku shihen disa shtëpi, në bodrumin e njërës prej të cilës dëshmitari ka thënë se e kanë mbajtur.

“Më duket ka qenë kjo shtëpia e madhe. Kur kam dalë nga aty kam parë shumë njerëz në oborr, dhe më pastaj kemi shikuar të ikim kudo mundnim. Nuk më ka interesuar asgjë pos jetës time”, është shprehur ai.

10:23

Kur Mustafa tregon për stresin e tij, seanca vazhdon e mbyllur

Ka nisur vazhdimi i seancës gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa. Sot pritet vazhdimi i dëgjimit të dëshmisë së dëshmitarëve, derisa seanca aktualisht po mbahet me dyer të mbyllura.

Në nisje, i akuzuari Salih Mustafa, ka deklaruar se nuk është dëshira e as qëllimi i tij të mos respektojë panelin e Gjykatës, duke shtuar se kohëve të fundit ka qenë i stresuar.

“Kohëve të fundit më është shkaktuar një stres dhe ky stres po vjen si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm dhe tani po ua them se cili është problemi”, ka deklaruar Mustafa, derisa më pas seanca ka kaluar në dyer në mbyllura.

Mustafa të hënën nuk ka dashur të jetë prezent gjatë dëshmisë së dëshmitarit të parë, derisa gjyqtarja Mappie Veldt-Foglia ka urdhëruar që ai të jetë prezent sot.

08:19

Sot vazhdon seanca ndaj Salih Mustafës

Sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Seanca do të fillojë nga ora 09:30.Në seancën e djeshme ai ka lëshuar sallën dhe nuk ka pranuar të vazhdojë të dëgjojë dëshmitarin e parë që ka folur kundër tij në Gjykatë.

Ky veprim i tij është arsyetuar nga mbrojtësi i tij dhe është aprovuar edhe nga trupi gjykues, por kryetarja e panelit që po e gjykon Mustafën ka thënë se është e nevojshme që në seancën e sotme ai të jetë prezent për t’u diskutuar prezenca e tij në seancat tjera.