3 perditesime
13:38

Policia ndërron ekipin në veri

Dhjetëra policë të njësive speciale janë ndërruar në Jarinjë, të martën në mesditë, për të vazhduar me ruajtjen e rendit në veri, pas protestave të serbëve si rrjedhojë e reciprocitetit për targa.

Siç raportohet, numri i serbëve protestues në këtë rrugë është i madh. Situata është e qetë.

Policët dhe protestuesit kanë qëndruar në rrugë që nga mëngjesi i së hënës.

10:13

Jarinja e bllokuar, vetura e kamionë të serbëve nëpër rrugë

Kolonë e gjatë disakilometërshe është shkaktuar në pikën kufitare të Jarinjës në veri të vendit, si pasojë e protestuesve serbë kundër reciprocitetit për targat.

Dhjetëra qytetarë kanë kaluar natën në Jarinjë në shenjë proteste, ndërsa rruga është e bllokuar me dhjetëra vetura e kamionë.

Me protestuesit janë parë edhe përfaqësues të Listës Serbe.

08:17

Situatë e qetë në Bërnjak e Jarinjë

Në pikat kufitare Kosovë-Serbi në Bërnjak dhe Jarinjë, trafiku vazhdon të jetë i bllokuar, por situata është e qetë, raportojnë mediat lokale serbe.

Për momentin, rreth 30 kamionë janë duke pritur, por se është ndërprerë transporti i mallrave.

Autobusët raportohet se po i afrojnë qytetarët deri në bllokadën rreth 800 metra larg kufirit dhe më pas po vazhdojnë në këmbë për të kaluar kufirin.

Serbët që po protestojnë, kanë vënë tenda dje, dhe kanë qëndruar gjatë gjithë natës.

07:51

Serbët vazhdojnë të qëndrojnë në kufi

Protestues serbë po vazhdojnë të qëndrojnë ende në pikën kufitare të Jarinjës, një ditë pasi autoritetet kosovare nisën zbatimin e reciprocitetit për targat.

Ata kanë bllokuar rrugën drejt kufirit dhe tërë natën kanë qëndruar në tendë, ndërsa nëpër rrugë vazhdojnë të qëndrojnë njësitet policore.

Pos pikës kufitare në Jarinjë edhe ajo në Bërnjak ka pasur protestues serbë që kanë bllokuar rrugët.

Serbët në afërsi të vendit ku kanë kaluar natën kanë shpalosur edhe një transparent të madh ku thuhet “Mirë se vini në Asociacionin e Komunave Serbe”, ka raportuar portali serb “Kosovo Online”.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi.

Ndaj këtij vendimi dhe situatës së shkaktuar në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë për të martën.