Arbëri

Trajkoviq për targat: Kjo që po ndodh sot është firmosur më 2016

Politikanja serbe Rada Trajkoviq, përmes disa postimeve rresht në Twitter, ka thënë se kjo që po ndodh sot në terren, ku targat serbe nuk po lejohen në Kosovë, është pranuar e firmosur nga pushteti në Serbi më 2016. Ajo ka akuzuar pushtetin në Serbi se po fsheh të vërtetën nga opinioni.

Ajo thotë se Marrëveshja ishte për 5 vjet dhe se tashmë ajo ka skaduar.

“Dallimi mes marrëveshjeve për liri të lëvizjes të viteve 2011 e 2016 është: derisa me të paren vetëm veturave me targa RKS u duhej të ndërronin ato me targa të përkohshme kur futeshin ë Serbi, me të dytën të gjitha veturat në të dy anët, përfshirë edhe ato për shembull me targa të Beogradit, duhet të vendosin të përkohshme për të kaluar kufirin”, ka shkruar Trajkoviq.

Ajo ka thënë se kjo do të thotë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq qysh para 5 vjetëve paradigmën e bisedimeve.

“Kësisoj, tash më nuk kërkohet që Serbia të njohë Kosovën, por që Kosova e Serbia të njihen mes vete. Marrëveshja e përkohshme e 2016-s ka skaduar, kështu që tashmë është futur në fuqi reciprociteti për të gjitha veturat, në të dy anët”, ka shtuar ajo.

Më herët edhe ish-negociatori serb për dialogun Borko Stefanoviq akuzoi Vuçiqin se po fsheh të vërtetën nga publiku serb.

Sot, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njëësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi.