6 perditesime
19:23

Mustafa largohet nga seanca, deklarimi i dëshmitarit shpesh i paqartë

Saranda Ramaj

Me fytyrë të fshehur, e zë të shtrembëruar me qëllim që t’i ruhet identiteti ka dhënë deklaratën e tij në Gjykatën Speciale, një dëshmitar i cili pretendon që është maltretuar nga ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa – Cali.

Dëshmia e tij ka zgjatur me shumë se tri orë e zëri i tij ka qenë aq i deformuar, sa herë pas here nuk është kuptuar për publikun dëshmia e tij.

Ky person ka thënë se nuk e di se kush e kishte marrë për ta dërguar në Zllash, ku pretendon se është keqtrajtuar. Por, ka dhënë detaje të tjera se si, sipas tij, ka rrjedhur ngjarja.

“Njëri më dha një çokollatë, unë nuk e doja, por insistonin. Kur e mora, e futa në gojë, më goditi boks në gojë, m’i theu dhëmbët. Aty më kanë futur një thes të zi në kokë, nuk kam pasur mundësi t’i shoh nëse ishin të armatosur. Më futën në një veturë, nuk i njihja asnjërin”, tha ai.

Ka thënë se ka dëgjuar nga kati i dytë i objektit ku po mbaheshin, rrahjet që u bëheshin personave të tjerë që po mbaheshin në këtë objekt. Arsyen e ndalimit të tij e ka ndërlidhur me dyshimet që sipas tij, i kishte UÇK-ja për të, se ai po bashkëpunonte me serbët.

“Kam qenë i varfër, kam shitur dru me një kali, s’kam pasur çare pa folur me serbë, është dashur të punoj. Më kanë kërcënuar që po bashkëpunoj me ta. Më kanë rrahur disa herë, më kanë hedhur ujë, më kanë çuar në stallë, nuk kam ditur asgjë. Pastaj të nesërmen kanë ardhur në mëngjes”, tha ai.

Në një moment ky dëshmitar ka thënë se i akuzuari Salih Mustafa, ia ka drejtuar armën në kokë, por kur ka tentuar ta shkrepë nuk ka pasur plumba.

E kur është pyetur më në detaje për këtë çështje, ai ka qenë kontradiktor, për shkak që edhe pse ka thënë se bëhet fjalë për të akuzuarin, ka deklaruar që nuk e ka parë vetë.

“Nuk di kurgjo, se s’kom pa, ka qenë terr, veç e di që qeky personi është që ma ka bo qata dhe e kom ni kur ka thanë lëne mos e rreni mo se paska fat, atëherë e ka ndërpre”, tha ai.

Pjesën e parë të gjykimit i pranishëm ka qenë i akuzuari Salih Mustafa, i cili ka kërkuar ta marrë fjalën.

Kryesuesja e trupit gjykues i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese por me disa kushte.

“Zoti Mustafa, në ndonjë moment, sot mund t’jua jap fjalën. Edhe të mërkurën do t’jua kisha dhënë fjalën po ta kishit kërkuar, por tani për tani kemi një program të organizuar për sot. Në fillim dua të vijojmë me këtë program, do të marrim në pyetje dëshmitarin sot dhe pastaj në ndonjë moment të duhur do t’u japim mundësinë që të thoni atë që doni të thoni. Kështu do të veprojmë, do të merrni fjalën por jo tani”, tha ajo.

Por në pjesën tjetër të gjykimit, Mustafa nuk është paraqitur në seancë.

Intervistimi i dëshmitarit ka vazhduar nga prokurori Cezar Michalzuk, ku në një moment ai ka bërë me dije se ky dëshmitar kishte dhënë të njëjtën deklaratë edhe në UNMIK, në vitin 2006.

Por për këtë çështje dhe për një pjesë të madhe të çështjeve të tjera kanë kaluar në seancë private, ku mediat nuk kanë qasje.

Në pjesën e fundit të gjykimit, dëshmitari ka treguar se si ka shpëtuar.

“Na kanë thirrë me emër një nga një kur na kanë liruar. Unë isha nga fundi. Kur kam dalë, kam parë persona me uniforma e pa uniforma. Nuk ia kam vënë shumë syrin pasi gajle e kisha si të ikja”.

Dëshmia e këtij dëshmitari do të vazhdojë edhe ditët në vijim.

Në lidhje me paqartësinë e deklaratës së dëshmitarit, ka reaguar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi i cili ka kërkuar që të mos ndërhyhet deri në këtë masë sa dëshmia të bëhet e pakuptueshme.

Salih Mustafa është personi i parë i Kosovës që po gjykohet nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai është në paraburgim qe një vit.

16:49

Dëshmtari tregon momentin kur u lirua nga Zllashi

Dëshmitari i parë në rastin e Speciales kundër Salih Mustafës, është pyetur nga Prokuroria për mënyrën se si është trajtuar gjatë mbajtjes në Zllash.

Ai ka treguar se gjatë qëndrimit atje ka mundur të dëgjojë zhurma të personave që po rriheshin një kat më lartë dhe se këto zhurma e linin pa gjumë. Ai ka treguar edhe se kanë ngrënë ndoshta nga një copë bukë, e ka pasur raste kur dy ditë nuk kanë ngrënë.

“Nuk e di se çfarë kishte lartë, ne ishim në katin e poshtëm në ahur. Lartë veç njëherë e di se më kanë çuar e më kanë rrahur. Nuk më kanë lënë të shikojë hiq lartë. Lartë kam qenë me thes në kry. Poshtë nuk mund të flinim natën, për shkak të zhurmës së njerëzve që po rriheshin lartë. Gati përnatë kemi dëgjuar. E kishim frikë se do të na çonin edhe ne lartë”, ka thënë dëshmitari.

E në pyetjen se a i kanë dhënë ushqim apo ujë, ai ka thënë: “Na kanë dhënë veç nga një copë bukë, të ftohët bajat. Nuk e di saktë ndoshta ka pasur 48 orë skemi ngrënë bukë. Nuk ka pasur ka qenë luftë. Na kanë dhënë sa mos me vdek. Ujë na kanë dhënë një kantë e kemi pirë aty sa kemi mundur. Nuk kemi pasur boll as ujë për të pirë e lëre më të lahemi”.

Ai ka thënë se dy persona kanë qëndruar jashtë dhe i kanë ruajtur ndërsa nuk e di se kush janë. As nuk kanë guxuar të thonin nëse janë sëmurë.

Ai ka treguar se familja e tij ishte në dijeni për vendndodhjen pasi e kishin marrë në sy të familjes.

Dëshmitari ka treguar edhe për lirimin e tij dhe të një grupi të tjerëve.

“Kanë ardhur i kanë hapur dyert dhe kanë thënë shkoni ka të doni. Kemi dalë jashtë. Jemi nisë prej Zllashi në drejtim të Prishtinës. Ka pasur shumë refugjatë jemi futur në kolonë e kemi shkuar për Prishtinë. Na kanë thirr me emër një nga një kur na kanë liruar. Unë isha nga fundi. Kur kam dal kam parë persona me uniforma e pa uniforma. Nuk ia kam vënë shumë syrin pasi gajle e kisha si të ikja. Vetëm kur kam hyrë në kolonë për Prishtinë, kam parë personat që më kanë trajtuar atë. Veshur civilë e po iknin për Prishtinë. Në kolonë kemi qenë dy tri orë e më ka rënë në sy e pash atje para meje ikte”.

Prokurori ka kërkuar që seanca të vazhdojë për disa çaste e mbyllur për publikun, për shkak të pyetjeve që ka për t’i bërë dëshmitarit.

Pas përfundimit të pyetjeve, seanca e sotme ka mbaruar. Nesër vazhdon seanca e radhës. 

15:25

Mustafa nuk dëshiron të jetë prezent në sallë gjatë dëshmisë së dëshmitarit

Trupi gjykues dhe pjesëmarrësit në sallën e gjyqit kanë bërë një pauzë njëorëshe. Ish-pjesëtari i UÇK-së, Salih Mustafa, nuk ka pranuar të rikthehet në sallën e gjyqit, deri kur të përfundojë dëshminë dëshmitari i parë.

Këtë e ka bërë të ditur avokati i Mustafës, Julius von Bone, i cili tha se klienti i tij do kthehet në sallë pasi të përfundojë dëshmia e dëshmitarit.

Ai ka thënë se edhe kur të dëgjohen dëshmitarët e tjerë, Mustafa preferon të jetë i pranishëm përmes videolidhjes.

Nga Gjykata është thënë që lejojnë mospraninë e të akuzuarit Salih Mustafa gjatë seancës së sotme, mirëpo të nesërmen, më 21 shtator, ky i fundit duhet të jetë prezent.

“Nesër në mëngjes e konsiderojmë të nevojshme që të jetë i pranishëm për të diskutuar për praninë e tij në këtë sallë gjyqi në seancat e ardhshme.”

Në sallë është kthyer dëshmitari i parë që pritet t’u përgjigjet pyetjeve të Prokurorisë.

11:01

“Dy persona u prezantuan si të UÇK-së”, - dëshmitari rrëfen se si u kidnapua për në Zllash

Dëshmitari i parë ka rrëfyer momentin kur është kidnapuar nga dy persona, të prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së, dhe është dërguar për në Zllash.

Ai i ka thënë Prokurorisë se i është vendosur një thes i zi në kokë dhe është sulmuar.

“Njëri më dha një çokollatë, unë nuk doja, por insistonin, dhe kur e mora, e futa në gojë, më goditi boks në gojë, m’i theu dhëmbët. Aty më kanë futur një thes të zi në kokë, nuk kam pasur mundësi t’i shoh nëse ishin të armatosur. Më futën në një veturë, nuk i njihja asnjërin”, tha ai, duke iu fshehur identiteti.

Dëshmitari thotë se është rrahur nga disa persona në një stallë, por se nuk e di sa ishin.

“Kam qenë i varfër, kam shitur dru me një kali, s’kam pasur çare pa folur me serbë, është dashur të punoj. Më kanë kërcënuar që po bashkëpunoj me ta. Më kanë rrahur disa herë, më kanë hedhur ujë, më kanë çuar në stallë, nuk kam ditur asgjë. Nesër kanë ardhur në mëngjes”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, pas një pauze, trupi gjykues dhe të pranishmit janë kthyer në sallë.

Avokati i Salih Mustafës Julius von Bone, ka kërkuar për klientin e tij një dhomë ku lejohet konsumimi i duhanit, pasi sipas tij, Mustafa, e konsumon shumë.

Gjyqtarja është shprehur se e kanë mbajtur shënim kërkesën dhe do e zgjidhin më pas. Një pjesë e dëshmisë është mbajtur me dyer të mbyllura "për shkak të ndjeshmërisë së çështjes".

10:39

Fillon dëshmia e dëshmitarit të parë në rastin e Mustafës

Ka nisur dëshmia e dëshmitarit të parë në rastin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa. Përgjigjet e tij janë po bëhen nën masa sigurie, duke mos iu zbuluar identiteti.

Ai është betuar që do flasë të vërtetën para trupit gjykues, derisa i janë kumtuar të drejtat gjatë dëshmisë.

Në anën tjetër, me të filluar seanca gjyqësore, i akuzuari Salih Mustafa, ka kërkuar të flasë, mirëpo nuk i është mundësuar nga gjyqtarja, nën arsyetimin se do i jepet mundësia më vonë.

10:20

Nis seanca ndaj Mustafës

Ka nisur vazhdimi i seancës gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa. Sot pritet të dëgjohet dëshmia e parë e dëshmitarët.

Me të nisur seanca, Mustafa ka kërkuar leje për të folur, por nuk i është mundësuar nga gjyqtarja, duke i thënë se këtë mund ta bëjë më vonë.

Në seancën e parë të gjykimit më 15 shtator, u bë e ditur se trupi gjykues do të dëgjojë dëshminë e dy dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga data 20 shtator deri të martën 28 shtator 2021.

08:00

Sot vazhdon gjykimi ndaj Salih Mustafës

Sot në Hagë nga ora 09:30, do të vazhdojë procesi gjyqësor kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafës.

Në seancën e parë të gjykimit më 15 shtator, u bë e ditur se trupi gjykues do të dëgjojë dëshminë e dy dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga data 20 shtator deri të martën 28 shtator 2021.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020. Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për “krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash”.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Konferencat përgatitore për gjykimin në këtë çështje u mbajtën më 9 dhe 10 qershor 2021./KSP/