Arbëri

Paralajmërimin e një plani të Qeverisë për veriun serbët e quajnë kërcënim

Mungesa e progresit në dialogun e Brukselit dhe prezenca e strukturave paralele kanë rikthyer diskutimet nëse Qeveria duhet konsideruar opsionet e tjera për ta shtrirë ndikimin edhe në veri. Por analistë nga veriu, teksa kanë kujtuar premtimin e Kurtit për dialog me serbët, thonë se vendimet e njëanshme nuk e ndryshojnë gjendjen. Për mungesë kujdesi nga ana e Qeverisë së Kosovës janë ankuar edhe përfaqësues të shqiptarëve në komunat veriore

Përpjekje për ta pushtuar veriun e kërcënim e kanë kualifikuar zyrtarët serbë një deklaratë të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për mundësinë e hartimit të një plani nga Qeveria, në funksion të rritjes së prezencës institucionale në pjesën që popullohet me shumicë serbe.

Shefi i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë përmes një reagimi dërguar mediave ka thënë se çdo skenar i qeverisë për veriun është i destinuar të dështojë.

“Beogradi është i vetëdijshëm për obsesionin e politikanëve nga Prishtina me pjesën veriore të Kosovës dhe Metohisë, por ata kot bëjnë ndonjë plan sekret për të pushtuar veriun. Një skenar i tillë është i dështuar. Për provokimet e shpallura të Prishtinës se do të rrisë praninë e saj ushtarake, të sigurisë ose policisë në veri të krahinës, unë mund t’u them vetëm politikanëve shqiptarë që të mos përpiqen të kërcënojnë e lëre më të implementojnë veprime të tilla, sepse Beogradi nuk do ta lejojë këtë”, ka thënë zyrtari serb.

Sipas tij, në vend që të kërcënohet me pushtimin e veriut do të ishte shumë më e mençur që Prishtina të fillojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, sepse, siç ka thënë ai, ky është plani i vetëm që ka të ardhme kur bëhet fjalë për mjedisin serb në Kosovë.

është gati të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura me Prishtinën në dialog dhe në tryezën e bisedimeve”, ka theksuar Petkoviq.

KOHA ka pyetur të shtunën në Qeverinë e Kosovës nëse kanë ndonjë plan për rritjen e prezencës në veri, por nuk është përgjigjur.

Mungesa e sundimit të ligjit

Çështja e veriut u rikthye në kuadër të dialogut të Brukselit me ankesat e qeverisë për ndërhyrjet e Serbisë nëpërmjet strukturave paralele në politikë, arsim, ekonomi e shëndetësi.

Analisti dhe gazetari Branislav Krstiq thotë se çfarëdo vendimi për veriun duhet t’i paraprijë një dialog me qytetarët, të cilin e kishte premtuar edhe kryeministri Kurti.

është ai plan në interes të pushtetit në Prishtinë apo me interes të qytetarëve të veriut, përkatësisht serbëve kosovarë? A duhet që ai plan të kalojë së pari përmes një debati publik apo është një dekret i qeverisë? Shpresoj se nuk është një plan sekret dhe sigurisht është shumë e rëndësishme se kush do ta zbatojë planin e tij, si dhe në cilat subjekte politike dhe profesionale në veri”, ka thënë Krstiq. “Kryeministri dhe Qeveria duhet të kujtohen se para një viti e gjysmë ata thanë se do ta vizitojnë veriun dhe do të bisedojnë me njerëz që kanë bindje të lirë dhe mendojnë se Lista Serbe nuk punon për interesat e serbëve të Kosovës. Me sa di unë gjithçka mbeti vetëm njoftim”.

Ndërkaq përfaqësues të shqiptarëve në komunat veriore thonë se vetëm duhet respektuar Kushtetuta e ligji, teksa janë ankuar për moskujdes nga Qeveria.

“Më kanë ardhur në majë të kokës këto plane të qeverisë qe 21 vjet. Prezenca është vetëm le t’i avancojnë këto që janë. Le ta respektojnë Kushtetutën e Kosovës e ligjet që janë fuqi, hiç s’ka nevojë me u lodh me ba letra tjera”, ka thënë Agim Hasani, nënkryetar për komunitete në Zubin-Potok.

Ai ka folur për vështirësitë që kanë në komunikim me Qeverinë e Kosovës edhe për çështjet bazike.

“I kam lutur për disa kontejnerë të vogël për mbeturinat që krijohen pas procesit të vaksinimit. Një muaj nuk kam mundur të bëja kurrgjë në raport me Qeverinë, në fund i kanë pru prej Serbisë”, ka potencuar Hasani.

Situatë e njëjtë është edhe në komunën më veriore në kufi me Serbinë- Leposaviq.

“Qeveria e Kosovës as nuk besoj se e di ku jemi ne, veç në hartë nëse e kanë pa. Qe katër vjet askush nuk ka mbajtë mbledhje në tri fshatrat shqiptare të Leposaviqit – Cerajë, Koshtovë, Bistricë. Qeveria duhet t’i kthej sytë këndej se në Prishtinë, pa keqkuptim, s’ka kush çka të bën. Veç të na ftojë Qeveria dhe ne jemi gati për bashkëpunim”, ka thënë ish-nënkryetari i kësaj komune, Xhemshit Bekteshi.

Veriu, burim tensionesh

Nisjes së negociatave në Bruksel nuk i ka paraprirë edhe një dialog me serbët e Kosovës, të cilin e kishte promovuar kryeministri Kurti.

Prej vitit 2013, kur u themelua si subjekt Lista Serbe, ka dominuar tek ky komunitet shpesh nëpërmjet presioneve e shantazheve, që janë evidentuar edhe në raporte ndërkombëtare.

Shumë marrëveshje të arritura në Bruksel të cilat do të siguronin prezencën e Prishtinës nuk kanë gjetur zbatim ende në veri, derisa e kufizuar vazhdon të jetë edhe lëvizja e lirë. Simboli i ndarjes së qytetit, Ura mbi Ibër nuk është hapur ende për qarkullim megjithëse punimet kanë përfunduar prej vitesh. Historikisht ura ka qenë burim tensionesh e konfliktesh. Në shtator të vitit 2009 ishte rihapur pjesërisht për qarkullim. Ajo ishte përforcuar me forca policore vendëse e ndërkombëtare. Por ura u betonua me rërë e gurë nga banorët lokalë serbë në korrik të vitit 2011, në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve të Prishtinës për të vendosur autoritetin në veri të vendit dhe për të marrë nën kontroll pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak, të cilat ndodhen në kufi me Serbinë. Një polic i njësisë speciale të Kosovës ishte vrarë në këtë aksion. Pas largimit të gurëve e rërës veriorët ndërtuan një të ashtuquajtur “Park i paqes”. Ky park që zëvendësoi barrikadën e la të lirë urën vetëm për disa orë. Por me marrëveshje tjetër palët u dakorduan që barrikada park të largohet dhe rivitalizimin e urës ta bëjë Bashkimi Evropian.

Ndërtimi i një muri të lartë dy metra e gjysmë, brenda javës kishte rikthyer tensionet përreth. Pengesa u vendos në mes të rrugës nga Komuna e Veriut. Për të shmangur përdorimin e forcës nga Prishtina, veriorët e rrënuan atë. Ndodhi kjo në shkurt të vitit 2016 pas marrëveshjes shumëpalëshe mes Qeverisë së Kosovës, Komunës së Mitrovicës Veriore, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Paralelisht rinisi punimet BE-ja dhe qeverisja lokale e veriut në sheshin “Mbreti Pjetër”. Por disa incidente afër shtatores së Car Llazarit në vitin 2017 u morën si pretekst për t'i ndalë sërish ekskavatorët.

Alarmi i emergjencës në veri vazhdon të ndizet nga veriorët sa herë që Policia e Kosovës ndërmerr ndonjë aksion atje. Kështu ka ndodhur edhe në aksionet e Policisë së Kosovës për arrestimin e zyrtarëve të dyshuar për përfshirje në kontrabandë me mallra. Me aksionet e tilla Serbia ka dramatizuar duke kërcënuar edhe me intervenim ushtarak.

Serbia më 2019-n kishte inskenuar edhe një “katastrofë humanitare”, si kundërpërgjigje ndaj taksës së qeverisë për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Presidenti serb, Vuçiq, pati sfiduar haptas organet e sigurisë duke thënë se veriu po furnizohet nëpërmjet rrugëve malore.

Dialogu i Brukselit kishte mundësuar edhe integrimin e strukturave paralele duke u amnistuar veprat kriminale të serbëve kundër shtetësisë së Kosovës. Por edhe pas marrëveshjes së vitit 2013 pati incidente të mëdha.

Një kandidat për kryetar komune, Dimitrije Janiçijeviq, ishte vrarë gjatë fushatës paraelektorale më 16 janar 2014. Kurse në janar të vitit 2018, në rrethanat ende të pasqaruara ishte vrarë politikani më i njohur në veri, Oliver Ivanoviq.

Veriorët po ashtu nuk i kanë nxjerrë ende nga ilegaliteti administratat komunale, ku punonjësit e tyre vazhdojnë t’i marrin nga dy paga - prej buxhetit të Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq pjesë e qeverisjes komunale janë edhe strukturat paralele komunale, të cilat janë ripërtërirë me vendim të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.