Arbëri

Gjykata ia ndalon mjekut të arrestuar t’i afrohet QKUK-së

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka ndaluar mjekut Bekim Ademi t’i afrohet Qendrës Klinike Universitare pas arrestimit nën dyshimin se kishte hapur histori të rreme për ish-kryetarin e Kllokotit në mënyrë që t’ia mundësonte shmangjen nga gjyqi, ka njoftuar avokati i tij Kujtim Kërveshi.

Sipas Kërveshit, Themelorja ka vendosur që Ademi të mos i lejohet t'u afrohet objektit dhe personave të caktuar. Sipas tij, s’ka pengesë që Ademi megjithatë të vazhdojë me ofrimin e shërbimeve jashtë objektit të QKUK-së.

“Ne presim që Prokuroria Speciale t’i grumbullojë shpejtë provat që i nevojiten dhe kështu Dr. Ademi të ketë mundësi të vazhdojë t’ju shërbejë pacientëve në objektin e SQKUK duke e zbardhur plotësisht rastin në fjalë. Deri më tani, procedimi i çështjes ka qenë i shpejtë si nga Prokurori Special ashtu edhe nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka njoftuar Kërveshi në Facebook.

Ademi u arrestua të enjten nën dyshimet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Kirurgu vaskular në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, siç ka mësuar KOHA, dyshohet se kishte hapur histori të rreme për Bozhidar Dejanoviqin, me qëllimin që ai ta përdorë “shtrirjen në spital” për të arsyetuar shmangien në gjykatë. Sipas burimeve, policia ka qëndruar në këtë repart për tre ditë. Ademi dyshohet se kishte hapur historikun se kinse është Dejanoviq është shtrirë në QKUK më 28 gusht për trombozë, por hetuesia ka dëshmi dhe e ka fotografuar po atë ditë në kafene.