8 perditesime
21:25

Opozita orientohet më shumë në fushatë digjitale, thotë se duhej të shkurtohej

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë shprehur gatishmërinë që fushata zgjedhore të orientohet më shumë në rrjetet sociale dhe format e tjera duke i ikur fushatës në terren për shkak të situatës pandemike. Nga këto parti është thënë se do veprojnë bazuar me masat anti-COVID.

Muzafer Shala, anëtar i Kryesisë së PDK-së, ka thënë se në zgjedhjet lokale kjo parti do të përkushtohet më shumë në fushatë digjitale e t’i ikë asaj konvencionale për shkak të gjendjes së rëndë me pandeminë COVID-19.

“Duhet të ketë fushatë dixhitale dhe t’i ikim asaj konvencionale, por nëse nuk gjejmë gatishmëri, sigurisht edhe ne duhet t’i përshtatemi rrethanave. Për shkak se jemi në garë do provojmë të jemi sa më shumë jo pjesë e fushatës konvencionale, do jemi edhe në terren por duke respektuar masat”, ka thënë ai.

Alban Zogaj nga LDK ka përsëritur qëndrimin se kjo parti do ta reduktojë fushatën në pesë ditë. Në Deskun e KOHËS Zogaj ka thënë se do të anashkalojnë tubimet e mëdha dhe fushata do të orientohet në forma të tjera.

“Duke e parë situatën abnormale në të cilën po jetojmë, situatë të jashtëzakonshme me numra të lartë të infektuarve e vdekjeve, duke e parë se situata e tillë do të vazhdojë për një kohë ne ishim proaktiv. Grupi ynë e kryetari Lumir Abdixhiku doli me thirrje ta shkurtojmë fushatën, për arsye se e përmirësojmë situatën me pandeminë, duke e shkurtuar fushatën e duke mos mbajtur takime të mëdha. Menduam se 10 ditë ishte e mjaftueshme. Kishte ide të tjera pastaj prej partive opozitare që të shkojmë me fushatë të shkurtuar. Ishte propozim për pesë ditë e u prit mirë nga të gjithë. Do të vazhdojmë me pesë ditë fushatë. E kemi marrë vendim në Kryesi e këtë vendim e kemi shpërnda te të gjitha degët. Të mos organizojmë tubime të mëdha ta orientojmë fushatën në forma tjera, sepse kemi mundësi të arrijmë te votuesi në forma tjera”, tha Zogaj.

Ndërkaq, nga AAK-ja, Ahmet Isufi ka thënë se pesë ditë fushatë me prezencë fizike janë të mjaftueshme për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, të cilat do të mbahen në një kohë kur gjendja epidemiologjike si pasojë e pandemisë me COVID-19 është rënduar në Kosovë. Ahmeti ka thënë se Qeveria është dashur të propozonte lidhur me shkurtimin e fushatës, duke shtuar se zgjedhjet nuk mund të shtyhen pa u shpallur gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë.

“Nëse bazohemi në situatën e cila është tani, me rritje të numrit të viktimave sidomos të kohëve të fundit, është dashur që përgjegjësinë kryesore që ka Qeveria, ajo të bëjë propozime, ashtu siç e bëri për shtyrjen, për të blerë në kohë. Ne deshëm që sharmin e demokracisë ta mbajmë gjallë, të vërehet që ekziston një garë e partive politike. Nëse dikush ka ndjenja për qytetarët e Kosovës atëherë do të duhej të thirremi edhe në përgjegjësinë që e ka Qeveria në bazë edhe të informatave të ndërmarra nga institucionet shëndetësore. Partitë politike po të dakordoheshin nuk do të ndodhte diçka që do të ndikonte në thyerjen e ligjit. Shtyrja e zgjedhjeve ka mundur të ndodhte vetëm nëse do të shpallej gjendje e jashtëzakonshme. Nëse ne vërtetë duam ta ruajmë shëndetin e qytetarëve të Kosovës, atëherë së paku do të duhej ta shkurtonim fushatën”, ka thënë Isufi. Ai ka shtuar se AAK-ja do ta bëjë fushatën më shumë në mënyrë digjitale.

21:12

Zogaj: S'besoj se ajo parti që ka më shumë votues të rinj favorizohet në zgjedhjet lokale

Alban Zogaj, anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka thënë se të gjitha partitë politike janë të barabarta në zgjedhjet lokale dhe se nuk favorizohet një nga to duke e matur në votuesit e rinj.

“Dikush do thoshte se ajo parti që ka më shumë votues të rinj do të favorizohej, por nuk besoj më në këtë argument sepse të gjithë jemi të barabartë në komunikimet e reja që po i përdorim. Qytetari i çdo moshe ka qasje në të gjitha mediumet”.

Në Deskun e KOHËS është shprehur se kostoja monetare e fushatës digjitale mund të jetë më e lartë se ajo që mund të bëhej në terren. Për koston e fushatës së kandidatëve, Zogaj ka thënë se ekzistojnë rregullat sipas rregullores së partisë.

“Te kostoja është tjetër diskutim, mund të jetë kjo formë e fushatës më e shtrenjtë në raste të caktuara por është e kontrolluar varësisht se çfarë buxheti kanë. Ka rregullore të partisë sa duhet të shpenzohet dhe kam përshtypje se po kontrollohet mirë, disa rrjete janë pa pagesë. Unë e them me bindje fushata e re moderne arrin në më shumë votues se sa tubimet e mëdha që janë mbajtur deri tash. Sot në botën moderne me i mbrojtë tubimet e mëdha elektorale është e palogjikshme, sepse nuk mundesh t’i mbrosh sepse me fushata të reja moderne arrijmë në më shumë votues dhe më mirë e përçojmë mesazhin”, tha ai.

Zogaj shtoi se pavarësisht se tubimet e mëdha e kanë efektin e pazëvendësueshëm, në pandemi ka mundësi të bëhet “fushatë shumë e mirë pa tubime të mëdha partiake”.

21:02

Isufi: S’më duhet një votë që e dëmton interesin qytetar

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë se nuk i duhet një votë e cila do ta dëmtonte interesin qytetar.

Isufi ka deklaruar se e rëndësishme mbi të gjitha është që të ruhet shëndeti publik.

“Nuk mund ne të bëhemi demagogë e në njërën anë të themi po e ruajmë shëndetin e popullatës e në të njëjtën kohë të kërkojmë të mbahen tubime të mëdha duke u frikësuar se do të penalizohemi. Mua s’më duhet një votë e cila do të dëmtonte interesin qytetar sepse ne jem në shërbim të qytetarëve. Në fund të fundit, më e rëndësishmja është shëndeti i qytetarëve tanë”, ka thënë Isufi.

Sipas tij, e rëndësishme është po ashtu që të zbatohen masat edhe gjatë fushatës.

21:01

Shala: Jemi të mësuar me rrethanat e pandemisë

Muzafer Shala i PDK-së ka thënë se shtrëngimi i duarve është ajo pjesa emocionale gjatë fushatës. Por se janë mësuar tashmë me rrethanat e pandemisë dhe se bota vazhdimisht po shkon drejt digjitalizimit.

“Jetojmë në botë ku vazhdimisht po shkon drejt proceseve digjitale e gjithçka po digjitalizohet. Natyrisht se kjo nuk e zëvendëson atë shtrëngimin e duarve që është pjesa emocionale e fushatës. Por tashmë edhe qytetarët janë mësuar me rrethanat e pandemisë, në fillim ishte e vështirë. Fushatën e kaluar kemi qenë një prej partive që kishim kreativitet gjatë organizimit të fushatës, me takime online e të paraqitjes së kandidatëve. Është krijuar përvojë, pasi kemi program e kemi kandidat të mirë, ndër kandidatët më të mirë që garojnë nëpër komuna. Kemi bërë ofertë shumë të mirë për qytetarin. Besoj se edhe forma jokonvencionale mund të sjellë sukses, e jemi të bindur se do të kemi rezultate shumë të mira”, ka thënë Shala në Desk të KOHËS.

20:54

Isufi: Partia në pushtet nuk e ka fort në interes shëndetin e qytetarit

Ahmet Isufi i AAK-së ka thënë se partia në pushtet nuk e ka fort në interes shëndetin e qytetarëve, me faktin se po injoron debatet, publikun për ta paraqitur vizionin.

Isufi ka thënë se Aleanca do të ketë pesë ditë fushatë në terren, ndërsa do të koncentrohet në fushatën digjitale.

“Partia në pushtet nuk e ka fort në interes shëndetin e qytetarit, me faktin se i injoron debatet, e injoron publikun, duke mos e paraqitur vizionin, programin që ka për të ofruar, atë që e sheh në dobi të qytetarëve. Kjo mënyrë e qasjes kalon tash në hapësirë që ata të mbajnë fushatë për 30 ditë, e kjo do të mundësojë pastaj përhapjen por edhe rritjen e numrit të atyre që do të kenë virusin”, tha Isufi në Desk të KOHËS.

20:51

Zogaj: Komuna të mos jetë ndëshkuese vetëm ndaj partive, njëjtë të sillet edhe më të tjerët

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, ka thënë se për shkak të përvojës nga zgjedhjet në shkurt kur pati rritje të numrit të rasteve me COVID-19, tash për ato lokale janë propozuar zgjidhje të tjera për fushatën.

Në Deskun e KOHËS ai ka thënë se alternativë e mirë është që fushata në terren të zhvendoset në atë të rrjeteve sociale.

“Është ëvshtirë të thuhet se fushata po ngritë numrat e rasteve, e kemi p-arasysh se tubimet e mëdha i ngrisin numrat, e kemi pa edhe prej fushatës së shkurtit. Prandaj kemi ardhur në propozime të cilat nuk janë të lehta, sepse e dijmë se takimet me qytetarët, dhënia e dorës në fushatë nuk zëvendësohet me asgjë, as me Facebook, në radio e diku tjetër, por është alternativë e mirë”, ka thënë ai.

Zogaj ka shtuar se mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës janë përdorues të rrjeteve sociale, sipas të dhënave, dhe kjo sipas tij e bën të lehtë qasjen e partive politike tek ata.

Shtoi se tubime të vogla megjithatë mund të mbahen, të tilla si me deri në 10 qytetarë dhe duke bazuar masat. Por, Zogaj ka kërkuar që Inspektorati i Prishtinës të mos ndëshkojë vetëm partitë politike duke qenë në qendër të vëmendjes në zgjedhje, derisa sipas tij, në lokale, kafe e bare ka grumbullim të njerëzve çdo ditë.

“Tubimet e vogla mund të ndodhin, kandidatët për asamble mund të organizojnë tubime të vogla me 5-10 qytetarë, në ambiente të jashtme, me maska, mbajtje të distancës dhe kjo konsiderojmë se nuk do nxirrte problem. Nëse komuna dëshiron t’i dënojë partitë politike, duhet të njëjtën metodologji ta përdorë edhe për rastet tjera dhe të mos me qenë ndëshkuese vetëm ndaj partive politike sepse jemi në llupën e zgjedhjeve”, përfundoi Zogaj.

20:41

Tahiri: Subjektet politike që shkelin masat anti-COVID do të gjobiten me nga 2000 euro

Drejtori i Inspektoratit të Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se Komuna e Prishtinës do të shqiptojë gjoba sipas Ligjit për luftimin e pandemisë.

Ai ka thënë se çdo subjekt politik që shkel gjobat do të gjobitet me nga 2000 euro. Ai ka thënë se nuk vlejnë arsyetimet e subjekteve se kandidati e ka organizuar vet tubimin.

“Në Prishtinë kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Policinë e Kosovës. Shpresoj të vazhdojë edhe gjatë fushatës. Në zgjedhjet lokale numri i kandidatëve është më i madh, e situata mund të dal jashtë kontrollit. Do të jemi mobilizohemi maksimalisht. Gjobat do të jenë sipas ligjit për parandalim të shpërndarjes së virusit që e kanë votuar vet këto subjekte politike. Për personat juridik është 2000 euro. Për pjesëmarrësit në fushatë është e vështirë të jepen gjoba, nëse nuk hasen aty për aty nga Policia. Për subjektet politike nuk vlen arsyetimi se kandidati e ka organizuar vet. Ai kandidat i takon një subjekti politik, kështu gjoba shkon te subjekti. I bëjë thirrje partive të fokusohen te forma tjera të fushatës”, ka thënë Tahiri në Desk të KOHËS.

20:41

Shala: Edhe pesë ditë fushatë me prezencë fizike janë të rrezikshme

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Muzafer Shala, ka thënë edhe pesë ditë fushatë janë të rrezikshme në këtë kohë kur Kosova po përballet me numra të lartë të të vdekurve dhe rasteve pozitive si pasojë e COVID-19.

Shala ka thënë se PDK-ja ka propozuar që të ndërprehet komplet fushata konvencionale.

“Ne kemi propozuar që të ndërpritet komplet fushata konvencionale. Përkufizimi në pesë ditë, prapëseprapë është i rrezikshëm. Ne jemi duke punuar me strukturat tona, Krasniqi ka bërë thirrje që edhe inspektorët të jenë strikt. Grumbullimi për pesë ditë është prapë me rrezik. Ne kemi rezistencë që ta ndryshojmë. Jemi duke punuar në edukimin e njerëzve tanë që sa më shumë tu përmbahemi rregullave”, ka thënë Shala.

20:35

Zogaj: LDK-ja do të jetë befasi e zgjedhjeve lokale

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Alban Zogaj, ka thënë se LDK-ja në zgjedhjet e 17 tetorit do të mbajë gjitha komunat me të cilat qeverisë dhe se do të fitojë komuna të reja.

Ai thotë se LDK-ja do të jetë befasi e zgjedhjeve lokale dhe se do të përformojë krejt ndryshe nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Në zgjedhjet lokale do të përformojmë krejtësisht ndryshe me zgjedhjet e shkurtit të këtij viti. Ekziston disa lloje sondazhi në Kosovë. Gjitha partitë bëjnë sondazhet e veta. Por, kemi qasje në sondazhe të institucioneve ndërkombëtare kredibile. Jemi shumë mirë në shumë komuna të Kosovës, do të mbajmë të gjitha komunat me të cilat udhëheqim, e do të fitojmë komuna të reja. LDK-ja do të jetë befasi e zgjedhjeve të 17 shkurtit. Jemi shumë mirë në Prishtinë, Podujevë e po ashtu në komunat që udhëheqim. LDK-ja do të jetë befasi e jashtëzakonshme e zgjedhjeve lokale”, tha Zogaj në Desk të KOHËS.

E Muzafer Shala i PDK-së ka thënë se PDK-ja po ashtu qëndron shumë mirë në shumë komuna bazuar në sondazhet, përfshirë edhe në Komunën e Prishtinës ku garon me Uran Ismajlin.