Arbëri

BE-ja i njeh certifikatat e vaksinimit të Shqipërisë

Shqipëria është e lidhur me sistemin e Bashkimit Evropian për certifikatat digjitale për COVID-19, duke nisur nga e mërkura.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se shqiptarët janë të lirë të lëvizin lirshëm në Evropë me pasaportën digjitale të vaksinimit.

“Shqiptarët të lirë të lëvizin lirisht në Europë me pashaportën digjitale të vaksinimirt. BE aprovon Shqipërinë, Izraelin dhe Marokun, duke dhënë edhe një shembulll kuptimplotë të progresit tonë digjital, për të gjithë ata që dëshirojnë t'u gëzohen edhe arritjeve, përveçse të shohin vetëm të këqija deri edhe ku nuk ka”, ka shkruar Rama në Facebook.

Kjo nënkupton që dokumentet e lëshuara nga autoritetet shqiptare që vërtetojnë vaksinimin, testet apo shërimin nga koronavirusi do të njihen në të gjitha vendet anëtare të bllokut, por edhe në disa të tjera jashtë unionit.

Në të njëjtën kohë, edhe Shqipëria duhet të pranojë dhe njohë certifikatën digjitale për COVID për udhëtimet nga BE.

Në këtë skemë bëjnë pjesë 42 shtete, 27 anëtare të BE-së dhe 15 jo anëtare.

Përveç Shqipërisë, Komisioni Evropian miratoi edhe certifikatat e vaksinimit të 6 shteteve të tjera, Andorrës, Ishujve Faroe, Izraelit, Monakos, Marokut dhe Panamasë.