4 perditesime
21:15

Beqaj: Keqmenaxhimi i pandemisë do të reflektohet negativisht për VV-në në zgjedhje

Politologu Belul Beqaj ka thënë se gabimet e bëra nga Qeveria Kurti, veçanërisht menaxhimi i dobët i situatës me pandeminë COVID-19, do të reflektohet negativisht për Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e 17 tetorit.

“E di se situata është komplekse, e nuk mundet kjo Qeveri për 6 muaj apo një vit me i kalu gjitha pengesat e krijuara gjatë 15 vjetëve. Por nuk kam pritur që kaq shpejt të bëjë gabime, në kuptimin e asaj që ka të bëjë me çështjen e jetës së njeriut, pra po flas për pandeminë. Menaxhimi jo i mirë i pandemisë, e ka zbehur klimën e ndryshimit të madh. Në një mënyrë do të vërehet edhe në pushtetin lokal. Vetëvendosja ka pretenduar se do të fitojë deri 70 për qind të komunave, ka mundur të thotë deri 110 për qind. Por në rastin konkret, si shembull, nëse e humb Prizrenin, e që nuk përjashtohet mundësia, e humb Prishtinën, nuk përjashtohet mundësia po ashtu, pasi nëse shkon balotazh në dyja mund të humbë. Ndoshta edhe në komuna tjera. Por po i marr këto dy komuna, se nëse Vetëvendosja nuk e fiton Prishtinën e Prizrenin atëherë duhet kryeministri Albin Kurti të reflektojë. Si menaxher i Qeverisë nuk ka treguar performancën e duhur, kështu që përgjegjësia kryesore bie mbi të”, tha Beqaj në Desk të KOHËS.

21:09

Beqaj: Ata që po kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve kanë menduar se politika bëhet vetëm me shkarkime

Belul Beqaj, politolog, ka thënë se fakti që konsolidimi i situatës shëndetësore po bëhet për ta fituar pushtetin, është motivi i gabuar që po jepet si arsyetim për të shtyrë zgjedhjet lokale.

Në Deskun e KOHËS, Beqaj ka thënë se politika e mirëfilltë duhet ta kishte prioritet menaxhimin e pandemisë dhe jo të merret vetëm me shkarkime.

“Gabimi është në situatën kur ata që po kërkojnë që të shtyhet kanë menduar se politika mund të bëhet vetëm duke shkarkuar borde, shkarkuar ambasadorë, duke hapur ide për veting, duke zgjedhë drejtora, duke folur për drejtësinë. Kjo është pjesë e politikës, por politika e mirëfilltë nuk ka të bëjë vetëm me shkarkime dhe kërkimit për drejtësi, por edhe për zgjidhjen emergjente të kërkesave emergjente të qytetarëve”, ka thënë ai.

Sipas Beqajt, nuk mjafton vetëm fryma e “fitores plebecitare” të VV-së për ndryshim, por se ndryshimi duhet të vazhdojë.

20:54

Beqaj: Tema për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve, për interesa të partive

Politologu Besim Beqaj, vlerëson se tema e nxitur për shtyrje ose jo të zgjedhjeve lokale për shkak të pandemisë, në fakt nuk ka të bëjë me qytetarët.

Beqaj në një intervistë për Deskun e KOHËS tha se partitë gjithë këtë e kanë bërë për interesa të tyre.

Duke folur për zgjedhjet e 17 tetorit, që sipas tij, nuk kanë bazë ligjore të shtyhen, tha se kohëve të fundit të gjitha ngjarjet e mëdha janë mbajtur në pandemi, teksa ishin të njëjtit njerëz por në pozicione të ndryshme.

“Nëse e trajtojmë nga këndi juridik s’ka bazë juridike, edhe nëse presidentja e shpall gjendjen e jashtëzakonshme, me Kushtetutë nuk lejohet suprimimi i ligjeve për zgjedhjeve lokale dhe nacionale. Nëse dëshirojmë ta marrim një përgjigje politike, gjasat kanë qenë minimale që të arrihet një konsensus duke parë qëndrimet e partive. Por tash, A ra qeveria Kurti në kohën e pandemisë, a ishin këta faktorë? A ra Qeveria Hoti? A u mbajtën zgjedhjet e 14 shkurtit? A është IKSHPK-ja e njëjtë që ka dhënë vlerësimet atëherë dhe sot? Cili është emëruesi i të gjithëve? Në përpjekjet e tyre nuk figuron shëndeti i qytetarëe, por vetëm interesi i tyre”, tha Beqaj.

20:45

Beqaj: Vuçiqi po e realizon në paqe, atë që s’e bëri Millosheviqi me luftë

Politologu Belul Beqaj ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të jetë i gatshëm ta pranojë një bashkim të Kosovës me Shqipërinë.

Beqaj në Desk të KOHËS ka thënë se Vuçiq po e realizon gradualisht në paqe atë që Sllobodan Millosheviqi nuk arriti ta realizonte me luftë, pra idenë që shumica e serbëve të gjenden në një territor.

“Mund të gaboj, por në kontekstin e realizimit të idesë për shumicën e serbëve që të gjenden në një territor, realisht Aleksandar Vuçiq në mënyrë paqësore po e realizon atë ide që Millosheviqi tentoi ta realizonte me luftë. Mund të ketë një lloj kompensimi, e të arsyetohet para popullit, se unë nuk e njoha Kosovën siç kam thënë, por e bëra atë që ishte e vetmja gjë e mundur për të bashkuar Republika Srpskan. Problemi nuk ka të bëjë me Bosnjë-Hercegovinën. Ai nuk mërzitet as për të, e as për serbët në veri”, tha Beqaj.

20:42

Beqaj: Një marrëveshje për formimin e shteteve etnike pa prekur kufijtë e Kosovës mund të bëhet

Politologu Belul Beqaj ka thënë se takimi në Tiranë mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe krerëve të Ballkanit ishte më me peshë se ai në Serbi një ditë më parë. Në Deskun e KOHËS ka thënë se pret ndryshime në raportet mes Kosovës dhe Serbisë nga ky takim.

“Po shihet gatishmëri e kryeministrit të Kosovës dhe Aleksandër Vuçiqit krahas dallimeve substanciale në poilitikbërje, megjithatë edhe një emërues i përbashkët që dimensionit të procesit të vazhdueshëm t’i jepet një kahe. Fjala është që përkundër dallimeve të këtyre liderëve, ekziston një emërues i përbashkët që ka të bëjë me formimin e shteteve etnike. Nëse në këtë dimension mund të gjendet një gjuhë të përbashkët mes dy liderëve, mendoj se të gjitha përpjekjet për integrime evropiane mund të kthehen në zero. Nuk i përjashtoj marrëveshjet që janë të miratuara, por ajo që është substanciale që ka të bëjë me thelbin e problemin, pra me njohjen e statusit të Kosovës mund të marrë kahe tjetër dhe të ndryshoj orientimin”, ka thënë ai.

Duke folur për idenë e ndryshimit të kufijve dhe këmbimin e territoreve, Beqaj ka thënë se nëse kjo nuk do të ketë sukses, mund të vihet në pyetje një marrëveshje që e bashkon Serbinë me Republikën Srpska dhe bashkon Kosovën me Shqipërinë.

“Nuk jam i sigurt se kemi të bëjmë me ndryshim të kufirit, kam indikacion që më bën të dyshoj se çështja e formimit të shteteve etnike mund të jetë edhe pa ndryshimin e kufijve. Mendoj se në instancën e fundit, nëse të gjitha përpjekjet për ndryshimin e kufirit nuk do kenë sukses, mendoj se nuk do të kenë sukses sepse ishte Gjermania që e ndali, por tash nuk do të jetë Merkel, druhem se është në pyetje një marrëveshje që e kënaq Serbinë me bashkimin e Republikës Srpska dhe bashkimin e Kosovë me Shqipërinë pa ndryshim të kufijve, por me rrezikim të stabiliteti regjional”, shtoi ai.

Sipas Beqës, thëniet e Vuçiqit se nuk e njeh Kosovën dhe zgjidhje do bëjë me shqiptarët pa përmendur Kosovën si shtet, nuk janë të kota. Ai këto thënie i sheh si indikator “se një marrëveshje për formimin e shteteve etnike mund të bëhet, pa prekur kufijtë e Kosovës”.