Arbëri

Beqaj: Një marrëveshje për formimin e shteteve etnike pa prekur kufijtë e Kosovës mund të bëhet

Politologu Belul Beqaj ka thënë se takimi në Tiranë mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe krerëve të Ballkanit ishte më me peshë se ai në Serbi një ditë më parë. Në Deskun e KOHËS ka thënë se pret ndryshime në raportet mes Kosovës dhe Serbisë nga ky takim.

“Po shihet gatishmëri e kryeministrit të Kosovës dhe Aleksandër Vuçiqit krahas dallimeve substanciale në poilitikbërje, megjithatë edhe një emërues i përbashkët që dimensionit të procesit të vazhdueshëm t’i jepet një kahe. Fjala është që përkundër dallimeve të këtyre liderëve, ekziston një emërues i përbashkët që ka të bëjë me formimin e shteteve etnike. Nëse në këtë dimension mund të gjendet një gjuhë të përbashkët mes dy liderëve, mendoj se të gjitha përpjekjet për integrime evropiane mund të kthehen në zero. Nuk i përjashtoj marrëveshjet që janë të miratuara, por ajo që është substanciale që ka të bëjë me thelbin e problemin, pra me njohjen e statusit të Kosovës mund të marrë kahe tjetër dhe të ndryshoj orientimin”, ka thënë ai.

Duke folur për idenë e ndryshimit të kufijve dhe këmbimin e territoreve, Beqaj ka thënë se nëse kjo nuk do të ketë sukses, mund të vihet në pyetje një marrëveshje që e bashkon Serbinë me Republikën Srpska dhe bashkon Kosovën me Shqipërinë.

“Nuk jam i sigurt se kemi të bëjmë me ndryshim të kufirit, kam indikacion që më bën të dyshoj se çështja e formimit të shteteve etnike mund të jetë edhe pa ndryshimin e kufijve. Mendoj se në instancën e fundit, nëse të gjitha përpjekjet për ndryshimin e kufirit nuk do kenë sukses, mendoj se nuk do të kenë sukses sepse ishte Gjermania që e ndali, por tash nuk do të jetë Merkel, druhem se është në pyetje një marrëveshje që e kënaq Serbinë me bashkimin e Republikës Srpska dhe bashkimin e Kosovë me Shqipërinë pa ndryshim të kufijve, por me rrezikim të stabiliteti regjional”, shtoi ai.

Sipas Beqës, thëniet e Vuçiqit se nuk e njeh Kosovën dhe zgjidhje do bëjë me shqiptarët pa përmendur Kosovën si shtet, nuk janë të kota. Ai këto thënie i sheh si indikator “se një marrëveshje për formimin e shteteve etnike mund të bëhet, pa prekur kufijtë e Kosovës”.