Arbëri

Sindroma post-COVID - 7 fëmijë ishin në gjendje të rëndë, një vdiq

Rreziku nga COVID-19 jo në të gjitha rastet kalon pasi fëmijët e kalojnë virusin.

Ndonëse në raste të rralla, fëmijët mund të preken nga ajo që njihet si sindroma post-COVID, e cila sipas studimeve ndërkombëtare shfaqet diku pas 2-10 javë pasi fëmija e ka kaluar virusin.

Një fëmijë 15-vjeçar, i cili kishte ardhur për pushime në Kosovë nga Anglia e i cili e kishte kaluar virusin para disa javësh, është viktima e vetme e sindromës post-Covid. Ai ka vdekur 10 ditë më parë në Intensiven Qendrore.

Petrit Gjaka nga Klinika Intensive e Pediatrisë ka thënë se deri tani janë 7 raste të identifikuara, gjashtë prej të cilave kanë arritur të trajtohen me sukses, por një ka vdekur.

“Kjo sindromë shfaqet 2-10 javë pas kalimit të COVID 19. Një pjesë e fëmijëve e kalojnë Covidin pa simptoma, pas disa jave shfaqet kjo sindromë, dhe atëherë vërtetohet me analizë me serelogji që është kaluar Covidi”, ka thënë Gjaka.

Sipas tij, sindroma post-Covid është një çrregullim i imunitetit i cili vepron vrullshëm dhe fillon me dëmtim të organeve të organizimit.

“Në këtë rast prek trurin, zemrën, mushkëritë, organet e barkut, veshkat, është prekje e përgjithshme. Prek lëkuren pra prek gjitha organet. Është një prekje e përgjithshme. Është sindromë që shfaqet me një klinikë bajagi të rendë, në formë të shoki endotoksik edhe qe kërkon një tretman specifik. Deri tash i kemi pasur 7 raste me sindromë post-COVID”, ka thënë ai.

Rasti i parë me këtë sindromë, sipas tij, është paraqitur në muajin shtator të vitit të kaluar. Por ka shpjeguar se në cilat raste trajtimi i kësaj sindrome nuk shkon mirë.

“Është numër shumë i ultë. Por janë raste shumë të rënda që nevojitet një trajtim intensiv dhe i shpejtë. Në përgjithësi është e përgatitur përveç rasteve që shkojnë keq kur kemi raste kur shkojnë keq për shkak të dështimeve të zemrës dhe mushkërive, atëherë duhet një aparaturë me e sofistikuar që në vendin tonë nuk gjendet. Përndryshe tek rastet që nuk shkojnë keq zemra dhe mushkëritë i kemi trajtuar”, ka shtuar Gjaka, pediatër në Klinikën e Pediatrisë.

Studime të shumta kanë folur për këtë sindromë.

Sipas “HopkinsMedicine”, ndonëse e rrallë kjo sindromë, mund të jetë shumë e rrezikshme.

Sindroma inflamatore shumë-sistemore te fëmijët (MIS-C) u identifikua për herë të parë në prill 2020 nga mjekët në spitalet e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar. Gjendja është quajtur gjithashtu sindroma inflamatore multisistemike pediatrike (PIMS). MIS-C është një sëmundje që mund të ndodhë pas infektimit me COVID-19 dhe prek kryesisht fëmijët e moshës shkollore. Edhe pse sindroma është e rrallë, mund të jetë e rrezikshme.

Brenda muajit gusht, siç ka raportuar KOHA, 50 fëmijë të prekur me COVID 19 kanë pasur nevojë për spitalizim në Klinikën e Pediatrisë, një prej tyre i cili kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese ka vdekur e fëmijët e tjerë e kanë kaluar virusin.