Arbëri

“Pazar” me terminë në Ambasadën e Gjermanisë, deri në 4500 € për një

Caktimi i një termini për vizë pune në Ambasadën e Gjermanisë është bërë i pamundur për qytetarët.

Linku për aplikim online në faqen e Ambasadës hapet vetëm një herë në muaj për disa minuta.

Qytetarët thonë se me gjithë përpjekjet ata nuk po mund të aplikojnë për termin dhe se zgjidhja e vetme për ta kanë mbetur agjencitë.

“Sistemi është absolutisht i paqasshëm. Mundesh me prit një muaj për të aplikuar, në fund nuk hapet fare linku i aplikimit ose edhe kur hapet nuk i pranon të dhënat. Me gjasë, alternativa e vetme kanë mbetur agjencitë, por ato po kërkojnë shumë para”, ka thënë një qytetar në kushte anonimiteti.

Por, caktimi i terminëve nëpërmjet agjencive personave privatë po shitet nga 500 – 1000 e deri në 4500 euro.

Këtë ia ka konfirmuar edhe KOHËS një agjenci në një bisedë telefonike.

Gazetarja: Desha me ju pyet sa kushton termini?

X: Llogarite deri në 4500 euro të bëhet.

Gazetarja: Sa?

X: 4500 euro.

Gazetarja: Veç termini apo komplet...

X: Veç termini. Por ti kur e bën terminin llogarite që e ke marrë vizën.

Gazetarja: Aq i sigurt është?

X: I sigurt 100%. Ta bëj terminin, m’i jep paret, shkon e këqyr terminin a është i Ambasadës se po bëjnë edhe me email-a fals edhe shkon e konfirmon ku të duash.

Në njoftimin për terminët në uebfaqen e Ambasadës thuhet se agjencitë turistike dhe kompanitë e udhëtimeve nuk kanë më qasje në më shumë terminë sesa në ato, të cilat vetë qytetarët mund t’i rezervojnë online.

Por, megjithëkëtë, qytetarët po kanë dyshime se po manipulohen nga Ambasada.

“Për mua, po besoj edhe për qytetarë tjerë është shumë e dyshimtë se si agjencitë po munden të caktojnë terminë e ne qytetarët jo. Sigurisht që këtu ka manipulime nga të dyja anët, edhe nga agjencitë, por edhe nga ambasada”, ka thënë një qytetar në kushte anonimiteti.

Ambasada e Gjermanisë në një përgjigje për KOHËN kanë thënë se nuk mund të ketë tregti me terminët.

“Aplikuesit e interesuar mund të regjistrohen vetëm në një listë të pritjes për terminë. Në rastin e listave të pritjes për terminë nuk mund të ketë tregti me terminë, por mbase një honorar të performancës për regjistrimin për termin. Regjistrimin mund ta bëjë vetë secili person. Ambasada në uebfaqen e saj në veçanti e tërheq vëmendjen se terminët janë falas dhe se agjencitë/kompanitë e udhëtimeve nuk mund të kenë qasje të privilegjuar në sistemin e terminëve. Sistemi i terminëve është i mbrojtur nëpërmjet masave të shumëfishta të sigurisë kundrejt tentimeve për manipulime”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë.

E nga Policia e Kosovës dhe nga Prokuroria nuk kanë treguar nëse ndonjëherë kanë pranuar raportime nga qytetarët apo edhe të kenë hetuar raste të tilla të keqpërdorimeve.

Në sistemin e Ambasadës, problematike është edhe caktimi i terminëve edhe për viza të tjera, mes tyre edhe për ato turistike.