Arbëri

AAK-ja: Fushata zgjedhore të jetë 5 ditë, paraqitjet publike të kufizuara

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vazhduar të bëjë thirrje që fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, të jetë nga 30 në 5 ditë, si dhe paraqitjet publike të jenë të kufizuara.

Përmes një komunikate dërguar mediave, AAK-ja thotë se duhet respektuar jeta njerëzore dhe ruajtur demokracia.

“Fryma e fitores së AAK-së, reflektohet nga puna e palodhshme në secilën komunë të vendit. Aleanca është dakorduar që zgjedhjet lokale të mbahen me fushatë të shkurtuar, nga 30 në 5 ditë, me paraqitje publike të kufizuara sipas masave të cilat përcaktohen nga ekspertët shëndetësorë. Në respekt të plotë të jetës njerëzore, Aleanca konsideron se legjitimiteti i institucioneve dhe demokracia nuk duhet të rrezikohen”, thuhet tutje.

Për shtyrjen e zgjedhjeve ka folur kandidati i kësaj partie për kryetar të Podujevës, Besnik Tahiri, duke thënë se kjo nuk duhet të ndodhë, ngase do të ishte goditje e madhe që i jepet demokracisë në Kosovë, që nga paslufta.

“Zgjedhjet nuk mund të shtyhen, ne mund të bëjmë inovacione në raport me fushatën, ta bëjmë online app ta shkurtojmë, por shtyrja e zgjedhjeve është goditja më e madhe pas luftës që i jepet demokracisë në Kosovë”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje ditë më parë që fushata zgjedhore të jetë nga 30 në 10 ditë.