Arbëri

Komuniteti i arsimit e mirëpret mundësinë e testimit të nxënësve para fillimit të vitit shkollor

(Ekonomia Online) - Nëse institucionet shëndetësore në vend rekomandojnë që të bëhet testimi i nxënësve ndaj Covid-19 para fillimi të vitit të ri shkollor, komuniteti i arsimit nuk do ta kundërshtoj këtë kërkesë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), Rrahman Jashari, thotë se kërkesa për testim të nxënësve para fillimit të vitit shkollor u takon drejtorive komunale të arsimit. Jashari thotë se nëse vjen kërkesa nga SBASHK-u atëherë ata do të kritikohen.

“I mbetet drejtorive arsimore ta bëjnë këtë kërkesë, ngase nëse ne angazhohemi në këtë çështje, atëherë njerëzit mund të thonë se SBASHK-u po merret edhe me nxënës. Do të ishte mirë të testohen që të kemi një pasqyrë reale të situatës. Punëtorët e arsimit janë të gatshëm për fillimin e vitit shkollor. Nga takimet që kemi pasur me ministren Arbërie Nagavci, është thënë se janë bërë përgatitjet dhe uroj që raportet e DKA-ve që kanë arritur te MASHTI të jenë të sakta”, ka thënë Jashari për Ekonomia Online.

E drejtori i Institutit “Edguard”, Rinor Qehaja, ka thënë se nëse rekomandohet testimi i nxënësve nga IKSHPK-ja atëherë duhet të mirëpritet nga komuniteti i shkollës.

“Unë vlerësojë që testimi i nxënësve por edhe vaksinimi i tyre nuk është hiç larg mendsh. Kemi praktika të tilla të vaksinimit, tashmë të filluar nga vendet perëndimore, dhe si rekomandim nga institucionet shëndetësore nga këto vende, dhe si tillë edhe për vendin tonë kur vjen si rekomandim nga institucionet përgjegjëse atëherë duhet të mirëpritet nga komuniteti i shkollës si diçka që kontribuon tutje në sigurinë e shëndetin e tyre gjatë kësaj periudhe të pandemisë”, tha Qehaja.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, Arbërie Nagavci, ka thënë se pavarësisht se institucionet arsimore janë të përgatitura për nisje të vitit të ri shkollor me prezencë fizike më 13 shtator, mirëpo pas takimit me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, asaj i është rekomanduar që të respektohen masat aktuale edhe për një periudhë të caktuar.