Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se gjatë muajit gusht janë administruar mbi 410 mijë doza të vaksinës anti-COVID, e për shtator pret që ky numër të jetë edhe më i madh.
Vitia në një konferencë për media të mërkurën së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, tha se aktualisht në stok janë mbi 600 mijë vaksina dhe ka ftuar të rinjtë dhe gratë shtatzëna e gjidhënëse të vaksinohen
“Muaji që përfundoi ishte i mirë në zbatimin e planit të vaksinimit në masë. Projeksionet tona janë që edhe ky muaj do të jetë edhe më efektiv, duke qenë se kemi siguruar një stok të qëndrueshëm me vaksina. Duke qenë se në stoqet tona aktualisht kemi mbi 600 mijë vaksina të sigurta dhe efikase, ju bëjë thirrje qytetarëve që të caktojnë termine dhe të vaksinohen. Në mënyrë të veçantë ju bëjmë thirrje të rinjve, por sidomos shtatzënave dhe nënave gjidhënëse që të vaksinohen. Janë administruar 4 mijë doza te gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse”, ka thënë Vitia.
Ai ka thënë se situata epidemiologjike vazhdon të jetë e brishtë dhe jo stabile.
Ministri Vitia po ashtu ka njoftuar se MSH-ja ka nisur negocimin edhe për një milion doza të vaksinave anti-COVID për vitin e ardhshëm, pas rekomandimeve të fundit se mund të duhet edhe doza e tretë.