Arbëri

“Normalizimi ekonomik” që nuk solli normalitet midis Kosovës e Serbisë

Foto: Reuters / Arkiv

Një vit pas nënshkrimit të zotimeve në Washington mes Kosovës e Serbisë, shumë pika të atyre dokumenteve vazhdojnë të mos gjejnë zbatim. Kosova deri më tani ka implementuar vetëm pikën për hapjen e Ambasadës në Jerusalem, si parakusht për njohjen nga Izraeli. Sipas analistëve, marrëveshja nuk u zbatua edhe për shkakun se SHBA-ja nuk bën presion mbi palët

Marrëveshja që kishte synim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nëpërmjet normalizimit ekonomik, mbetet ende larg së zbatuari.

Të shtunën janë bërë një vit nga nënshkrimi i dy marrëveshjeve të ashtuquajtura për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, në Washington. Shumë pika nuk janë implementuar ende, derisa Kosova i ka shkuar deri në fund vetëm përcaktimit për hapjen e ambasadës në Jerusalem, si parakusht për njohjen nga Izraeli.

Derivat i atij dokumenti ka qenë edhe një raport i fizibilitetit nga Departamenti Amerikan për mënyrën e shfrytëzimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, i cili i është dorëzuar qeverisë më 26 qershor. Aty jepen katër rekomandime për shfrytëzimin e Ujmanit nga palët e përfshira, të cilat parashohin përmirësimin e infrastrukturës së liqenit, formimin e një komisioni lumor, implementimin e një sistemi mbikëqyrës dhe përmirësimin e parashikimit të furnizimit me ujë.

Por, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ende një qëndrim përkitazi me këtë raport.

Serwer: Dokument i vdekur

Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, marrëveshjen e ka kualifikuar dokument të vdekur edhe për shkak të mungesës së presionit amerikan për zbatimin e saj.

“Ishte gjithmonë një marrëveshje e thatë, që preku transportin midis palëve më shumë se çdo gjë tjetër. Ato dispozita u bënë vështirë të zbatueshme pas ringjalljes së epidemisë COVID-19. Por atmosfera e tensionuar mes palëve ka kontribuuar gjithashtu në mungesën e zbatimit”, ka thënë ai.

“Me sa jam në dijeni, SHBA-ja ka përfunduar studimin e premtuar të fizibilitetit në lidhje me Liqenin e Gazivodës/Ujmanit. Thënë në tërësi, Washingtoni nuk ka arritur të këmbëngulë në zbatimin e marrëveshjes, e cila kryesisht mbetet një letër e vdekur”.

Në prag të skadimit të marrëveshjes, Departamenti Amerikan i Shtetit në një përgjigje dërguar KOHËS ka inkurajuar palët që ta vazhdojnë moratoriumin që ia ndalon Kosovës aplikimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbisë fushatën për anulimin e njohjeve të Kosovës.

“Për të mbështetur suksesin e dialogut dhe përpjekjet e tjera, ne inkurajojmë të dyja palët që të ruajnë moratoriumet e tyre në çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike. Ne po vazhdojmë të punojmë me Kosovën dhe Serbinë për të zbatuar angazhimet e tyre në mbështetje të qëllimit të normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin punën drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe detyruese të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, e cila hedh themelet për bashkëpunim dhe prosperitet të qëndrueshëm”, kanë thënë në DASH.

Qeveria e as Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë treguar nëse do të përfillet ky sugjerim i amerikanëve.

E, kryeministri Kurti ka deklaruar se disa pika të asaj marrëveshjeje janë problematike për Kosovën, teksa i është referuar moratoriumit.

“Ne nuk duam ta mohojmë atë në parim, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të kujdesshëm, sepse ka edhe disa pika që janë problematike për Kushtetutën tonë që janë nënshkruar si një zotim nga kryeministri i mëparshëm. Vetëm të përmendim, faktin që ne nuk do të lobojmë dhe angazhohemi për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Kjo shkon në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Kurti në një intervistë për European Western Balkans (EWB).

Emir Abrashi nga Instituti Demokraci Plus ka thënë se Prishtina nuk është e përgatitur përballë ofensivës eventuale të Serbisë për anulimin e njohjeve dhe aplikimeve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Me përfundimin e këtij moratorium ne do të ballafaqohemi me një fushatë intensive nga ana e Serbisë për çnjohje dhe ne jemi të papërgatitur për t’i bërë ballë kësaj fushate, e në anën tjetër edhe anëtarësimi jonë në organizata ndërkombëtare varet nga një lobim i thellë i cili do të jetë i pamundur për shkak se ne nuk e kemi të strukturuar mirë sistemin tonë diplomatik dhe misionet tona i kemi pa krerë misionesh. Periudha e emërimit të ambasadorëve nuk është çështje ditësh apo javësh, është çështje muajsh, andaj ne do të ballafaqohemi me mungesë ambasadorësh të paktën deri në vitin 2022”, ka deklaruar ai.

Gjatë moratoriumit, Beogradi nuk ka prezantuar ndonjë çnjohje të pavarësisë së Kosovës. Por zyrtarët serbë e kanë bërë të qartë që nëse Kosovës i vjen ndonjë njohje, Beogradi do ta fillojë fushatën për tërheqjen e njohjeve. Sipas tyre, numri i shteteve që kanë anuluar njohjet është mbi 15.

Me rastin e njëvjetorit të marrëveshjes, nënshkruesi i saj ish-kryeministri Avdullah Hoti ka postuar vetëm një flamur të SHBA-së, pa ndonjë mbishkrim.

Kosova dhe Serbia nënshkruan më 4 shtator të vitit të kaluar marrëveshjen 16-pikëshe për normalizim ekonomik, por disa prej çështjeve të dakorduara në Shtëpinë e Bardhë janë riciklim i marrëveshjeve të Brukselit, sikurse ajo për energjinë, njohjen e diplomave apo hapjen e pikëkalimit të përbashkët në Merdar. Serbia deri më tani ka refuzuar t’i implementojë ato.

Projektet infrastrukturore

Dokumentet e nënshkruara përmbajnë edhe disa projekte që ndërlidhen me ndërtimin e autostradave dhe hekurudhave. Mes të tjerash theksojnë zbatimin e marrëveshjes për autostradë Beograd-Prishtinë dhe marrëveshjen hekurudhore Beograd-Prishtinë të nënshkruara, më 14 shkurt, 2020.

“Autostrada e paqes” Prishtinë – Merdar, si dhe linja e njëjtë hekurudhore janë dy projektet për të cilat në marrëveshjen e nënshkruar, Kosova është zotuar se do t’i përmbushë.

Dy javë pas arritjes së marrëveshjes, një delegacion i qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i udhëhequr nga kryeshefi i Korporatës Financiare, Adam Boehler dhe ish-emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, vizituan Kosovën. Ata premtuan mbi 1 miliard euro investime për projektin e “Autostradës së Paqes”, hekurudhave dhe Qendrës së Skijimit në Brezovicë.

Me gjithë ndryshimet në administratën amerikane, në Agjencinë Federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë thënë se po punohet me Departamentin e Shtetit dhe Kongresin në strategjinë e përgjithshme të DFC-së edhe nën administratën e presidentit të ri amerikan, Joe Biden.

Korporata Financiare ishte themeluar në vitin 2018 gjatë administratës së ish-presidentit, Donald Trump. Me 60 miliardë dollarë si kapacitet financiar, DFC-ja ka për detyrë lehtësimin e kapitalit dhe aftësive të sektorit privat në zhvillimin e shteteve më pak të zhvilluara. Në themelimin e saj, ajo pati thënë se ka marrë rol të rëndësishëm në ndihmën e avancimit të politikës së jashtme të SHBA-së. Në shtator të 2020-s, kjo korporatë hapi zyrën e parë rajonale në Beograd, si pjesë e Marrëveshjes së Washingtonit.

Në anën tjetër, Serbia ka nisur veprimet për ndërtimin e autostradës. Në mars ka shpallur tender për punimet në seksionin Nish-Merdar, e cila lidh Beogradin dhe Prishtinën, po gjithashtu do t’i mundësojë Serbisë të lidhet me portin e Durrësit në detin Adriatik.

Gjatë një vizite në Prokuple të Serbisë, Aleksandar Vuçiq njoftoi para disa ditësh se ndërtimi i seksionit të parë të autostradës Nish-Merdare do të fillojë kah fundi i shtatorit.

Në marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington, Kosova dhe Serbia po ashtu ishin zotuar që të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur.

Në nëntor të vitit 2020, në Kizhevak të Serbisë, nisën gërmimet në një varrezë të dyshuar masive ku u gjetën mbetjet mortore të nëntë personave.

Çështja e të pagjeturve ka qenë një nga temat kryesore të dialogut edhe në Bruksel që nuk i është dhënë zgjidhje për vite me radhë. Në Kosovë vazhdojnë të figurojnë si të pagjetur edhe rreth 1 mijë e 600 persona.

Ndarjet rreth “mini-schengenit”

Në kryeqytetin amerikan, të dyja palët ishin zotuar t’i bashkohen “zonës së mini-schengenit”, e cila ishte iniciuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019. Derisa Serbia është pjesë e “Ballkanit të hapur”, emërtim ky i ndryshuar, më 28 korrik të vitit 2021 për “mini-schengenin”, Kosova ka refuzuar t’i bashkohet nismës.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar që ta shpallin terroriste Hezbollahun – organizatë që i përket militantëve shiitë të Libanit, e cila mbështetet nga Irani. Por, Kosova veçse e kishte shpallur Hezbollahun organizatë terroriste qysh para arritjes së marrëveshjes më 23 qershor të vitit 2020.

Kosova dhe Serbia, ishin zotuar se do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetin e komunikimit. Por kjo pikë nuk është zbatuar nga Serbia, e cila vazhdon t’i mbajë investimet kineze në fushën e telekomunikimeve.

Serbia ka shkelur afatin e vënë për të transferuar ambasadën e saj në Izrael, nga Tel-Avivi në Jerusalem, që përfundoi më 1 korrik. Sipas presidentit Vuçiq, kjo pikë nuk u zbatua pasi Izraeli e njohu Kosovën.