Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka konfirmuar se shteti i Kosovës ka refuzuar donacione të vaksinave “AstraZeneca” ndaj COVID-19 nga dy shtete.
Ai ka arsyetuar këtë refuzim duke thënë se “donacionet kanë qenë me afat skadimi jooptimal që garantonte administrimin te qytetarët e Kosovës”.
Ditë më parë Kosova hoqi nga përdorimi mbi 133 mijë vaksina “AstraZeneca” të cilave u skadoi afati. Ato ishin donacion nga Norvegjia.
Sipas Vitisë, refuzimi i qytetarëve për t’u vaksinuar me këtë vaksinë erdhi për shkak të “disa teorive konspiracioni në raport me këtë vaksinë dhe disa deklarata të papërgjegjshme për vaksinat dhe afatin e tyre bëri që qytetarët në masë të madhe të hezitojnë për vaksinim me këtë vaksinë”.
Ai ka thënë se kur Kosova vendosi të jepte vetëm vaksinën “AstraZeneca” është vënë re një rënie e ndjeshme e interesimit të qytetarëve për vaksinim. Ka deklaruar se kjo ka detyruar MSH-në që t’ua mundësojë qytetarëve të zgjedhin vaksinën në mënyrë që të rritet sërish interesimi.
Për refuzimin e donacioneve tjera, Vitia ka thënë se ka ekzistuar rreziku që ato të mos mund të administroheshin.
“Janë refuzuar disa donacione, për të vetmen arsye sepse komiteti i vaksinimit në MSH, është grup profesional dhe rekomandimet e tyre i marrim parasysh. Kanë qenë oferta për ‘AstraZeneca’ pas atyre të Norvegjisë, me afat skadimi jooptimal që nuk na ka garantuar për administrim te qytetarët tanë. Me mirësjellje natyrisht i kemi falënderuar se ka pasur rrezik që edhe ato të mos mund të administrohen”, ka thënë ai në një konferencë për media të premten, ku ka përsëritur se javën e ardhshme Kosova do të pranojë rreth 500 mijë doza të vaksinës “Pfizer” nga Amerika.
Që nga fillimi i procesit të vaksinimit, deri tash janë administruar rreth 900 mijë vaksinime në vend. Prej tyre 305 mijë qytetarë janë të vaksinuar me të dyja dozat.