Arbëri

Krasniqi: Qeveria dështoi ta menaxhojë situatën me pandeminë

Kryetari PDK-së, Memli Krasniqi, në një konferencë për media ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se ajo dështoi ta menaxhonte situatën me pandeminë.

Krasniqi ka thënë se keqmenaxhimi më i madh është bërë me mënyrën e sigurimit të vaksinave dhe se Kosova ka shkallën ndër më të ulët të vaksinimit në botë dhe fatkeqësisht shkallën prej më të lartave të vdekjeve nga COVID-19 në ditët e fundit. Ai ka fajësuar Qeverinë edhe për asgjësimin e afro 133 mijë vaksinave të AstraZenecas, pasi u skadoi afati. 

"Gjatë kësaj periudhe nuk është bërë përpjekje për të siguruar numër më të madh të vaksinave, aq të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve. Për më tepër, nuk është bërë kurrfarë administrimi i dozave ekzistuese, siç dëshmoi dje skandali i asgjësimit të afër 140 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca. Sot, mungesa e vaksinave është evidente, dhe pamundësia e qytetarëve për të caktuar termin për vaksinim - vazhdon t’i mbajë peng një numër të madh të tyre.", theksoi ai.

Krasniqi tha se Qeveria ka dështuar në administrimin e procesit të vaksinimit duke mos ofruar vaksinim mobil dhe duke mos bërë fushatë masive të vetëdijesimit për rëndësinë e vaksinimit si mbrojtja e vetme dhe e paalternativë përballë Covid-19.

"Vetëm prej dje Ministrisë së Shëndetësisë i është kujtuar që të marrë vendim për ta zgjatur orarin e vaksinimit edhe gjatë fundjavës. Por, dallimi është se tash kemi afër 28 mijë raste aktive, e kjo do të duhet të ndërmerrej kur ende kishim gjasë për të parandaluar përhapjen e këtyre përmasave.", tha ai.

Lideri i PDK-së shtoi se keqmenaxhim ka pasur edhe në administrimin e kapaciteteve shëndetësore, pasi spitalet rajonale kanë qenë të papërgatitura për një fluks të ri, kanë qenë të pafurnizuara dhe në deficite me personel të nevojshëm shëndetësor.

"Sot, në këtë rritje enorme të rasteve klinike, siç po raportohet, është sfidë që të gjendet një shtrat në Klinikën Infektive, ose në atë të Pulmologjisë. Situatën e rënduar me raste e shohim veçanërisht në spitalet rajonale. Ajo çfarë po shohim në rajonin e Gjakovës, Mitrovicës, Ferizajt dhe në vetë QKUK-në, tregon qartë se tashmë i gjithë vendi është përfshirë në një valë të re të rritjes së numrit të rasteve. Ky virus nuk është problem lokal e rajonal, por problem kombëtar.", tha Krasniqi.

Krasniqi ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të ndërpresë pushimin dhe ka thënë se beteja me

"Qytetarët tanë duhet të gjejnë siguri më të madhe për t’u mbështetur në institucionet e veta, që të mos lihen e të ndihen të lënë anash e të vetmuar për asnjë çast në këtë përballje. Për këtë shkak, dy ditë më parë unë i kam dërguar një letër Kryeministrit Kurti, në të cilën kam shprehur gatishmërinë e PDK-së që në Kuvendin e Kosovës të ofrojë zgjedhje për qytetarët. Që nga fillimi i pandemisë, PDK, duke qenë në opozitë, ka dhënë ndihmën e saj në hartimin dhe votimin e Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID 19, si dhe Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike. E po ashtu, kemi mbështetur marrëveshjet ndërkombëtare që synonin ndihmën për institucionet dhe kapacitetet shëndetësore përballë Covid-19", tha ai."Është e qartë se mungesa e vaksinave si top prioritet për ballafaqim me Covid-19 është një problem që kërkon zgjidhje emergjente. Organizimi funksional, non-stop dhe mobil i procesit të vaksinimit, kërkon veprim të menjëhershme. Furnizimi me medikamente për të infektuarit, në çdo qendër trajtimi, kërkon veprim të menjëhershëm. Mbështetja meritore e profesionistëve shëndetësorë kërkon vendimmarrje serioze, të qëndrueshme dhe të menjëhershme.", tha ai.

Kryetari i PDK-së kërkoi që të gjitha këto nevoja emergjente të reflektohen në Buxhet, në mënyrë që kjo gjendje e rëndë me pandeminë t’u bëhet më e lehtë qytetarëve të Kosovës.

"Përballë kësaj tragjedie dhe këtij trendi kaq të rëndë e të rrezikshëm njëkohësisht, sot nuk duhet të ketë prioritet më të madh e më të rëndësishëm sesa shpëtimi i jetës së qytetarëve tanë. Të gjithë duhet të bëhemi bashkë - që qytetarëve t’ua lehtësojmë barrën e ballafaqimit me këtë sfidë. Kjo është nevojë emergjente dhe domosdoshmëri.", theksoi ai.