Arbëri

ZPS-ja nxjerr detaje nga dosja paraprake në rastin e Gucatit dhe Haradinajt

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar versionin e redaktuar publik të dosjes paraprake në çështjen kundër Gucatit dhe Haradinajt.

Në këtë version, i cili është bërë publik nga Dhomat e Specializuara në Hagë, paraqitet rasti për ish-krerët e OVL të UÇK-së të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë për shkak të dosjeve të cilat u dorëzuan në tri pako para zyrës së OVL-së në Prishtinë në vitin 2020.

ZPS-ja ka bërë të ditur se çfarë kanë përmbajtur ato dosje. Siç thuhet në versionin e paraqitur të zyrës, pakoja e parë me dosje përfshinë kërkesa konfidenciale për ndihmë në hetime penale të bëra nga SITF (Task Forca Hetimore Speciale) drejt autoriteteve serbe, dokumente nga autoritetet serbe, përgjigje, - shumica prej të cilave konfidenciale, që përfshijnë emra dëshmitarësh. Më tutje thuhet se në të njëjtën pako përmbante informacione të detajuara të krimeve serioze.

Në pakon e dytë, thuhet në parashtresat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar në Hagë Jack Smith, ka faqe të cilat janë të njëjta me pakon e parë të dosjeve. Dokumente serbe të përfshira aty në gjuhën serbe përmbajnë informacione konfidenciale, ndërsa gjashtë faqe me emra dëshmitarësh që po ashtu gjenden te pakoja e parë, janë edhe në të dytën dhe cilësohen si konfidenciale. 931 faqet e tjera janë kopje nga gjykimet dhe dokumente që lidhen me to të mbajtura në Kosovë dhe ato pranë Tribunalit ndërkombëtar për Krime Luftë në ihs-Jugosllavi, në lidhje me raste të krimeve të luftës.

Ndërkaq, në pakon e tretë përfshihen emra dëshmitarësh, deklarime, dokumente dhe informacione konfidenciale të marra nga Dhomat e Specializuara nga organizatat ndërkombëtare.

ZPS-ja ka vlerësuar se dëshmitë e publikuara gjatë 19 ditëve nëpër konferenca dhe programe televizive e rrjete sociale, të akuzuarit kanë dëmtuar procesin gjyqësor.