Arbëri

Gati 4000 gjoba për mosrespektim të masave për një ditë

Saktësisht 3981 gjoba janë shqiptuar në 24 orët e fundit për mosrespektim të masave anti-COVID, ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin ditor.

Nga e hëna në Kosovë kanë hyrë në fuqi masa të reja anti-COVID, pas rritjes alarmante të shifrave me COVID-19. Gastronomia do të funksionojë në hapësirë e orar të kufizuar, ndërsa është bërë obligative sërish edhe bartja e maskave, si dhe është kufizuar orari i qarkullimit pas orës 22:00.

Që nga vendosja e këtyre masave, institucionet kanë kërkuar rigorozitet në mbikëqyrjen e respektimit të masave. Të martën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, paralajmëroi se masat do të mbikëqyren në masë edhe nga shumë policë në rroba civile, ndërsa ka thënë se theks i veçantë do t’u kushtohet qytetarëve që janë të detyruar të vetizolohen për shkak të infektimit me virus.

Pos gati 4000 gjobave në bazë të ligjit anti-COVID, Policia ka shqiptuar edhe 1405 tiketa trafiku.

Shifra prej 4000 gjobash paraqet rritje të konsiderueshme nga ditët e zakonshme kur Policia ndante nga rreth 800-900 gjoba në ditë.

Me vendim të institucioneve, policëve u është zgjatur orari i punës në 12 orë në ditë. Për këtë, Sveçla ka paralajmëruar edhe kompensim.