Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen më tepër për të zgjidhur fatin e të pagjeturve në Kosovë.
Ai po ashtu ka thënë se institucionet ndërkombëtare duhet të vendosin sa më shpejtë para drejtësisë kriminelët e luftës që kanë qenë përgjegjës për zhdukjen e tyre.
“Sot përkujtojmë personat e zhdukur në Ditën Ndërkombëtare për ta. Kjo ditë duhet të ketë rol për të ngritur vetëdijen për fatin e të pagjeturve të Kosovës dhe gjendjen e rëndë të familjeve të tyre. Fatkeqësisht, kanë kaluar mbi dy dekada prej përfundimit të luftës së Kosovës dhe mijëra qytetarë presin gjithë dhimbje të mësojnë fatin e të afërmve të tyre. Institucionet e vendit duhet të angazhohen më shumë për zgjidhjen e fatit të të gjithë personave që janë të zhdukur, si dhe institucionet ndërkombëtare duhet sa më shpejtë të vënë para drejtësisë kriminelët e luftës që kanë qenë përgjegjës për zhdukjen e tyre”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.