Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në Kosovë, Mitrovica e Veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan, i kanë bërë thirrje ministres së Drejtësisë të Kosovës, Albulena Haxhiu, që t’i ndalë siç thuhet, kërcënimet ndaj gjyqtarëve serbë.
Reagimi i këtyre kryetarëve ka ardhur pas konfirmimit të dënimit me dy vjet burgim të Ivan Todosijeviqit nga Gjykata e Apelit në Kosovë, për shkak të deklaratave fyese për Masakrën e Reçakut.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës kishte thënë se Masakra e Reçakut është trillim dhe se “terroristët shqiptarë e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë dhe Metohi”.
Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimin e Todosijeviqit, ndërsa me këtë atij pritet t’i merret mandati i deputetit.
“Në emër të qytetarëve të komunave tona, ne mirëpresim vendimin e gjyqtarëve serbë të cilët i dërguan mesazh të qartë Prishtinës, se është e papranueshme të shkelet Marrëveshja e Brukselit për Drejtësinë, në dëm të popullit serb, në rastin e Ivan Todosijeviçit, bazuar në atë se kur gjyqtarët tanë u integruan në sistemin e Kosovës. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu që të ndalë së kërcënuari gjyqtarët serbë”, thuhet në reagimin e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe.
Ndaj konfirmimit të dënimit për Todosijeviq ka reaguar Lista Serbe që ka thënë se do të shqyrtojë mundësinë që të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale më 17 tetor, ndërsa kryetarët e komunave veriore kanë thënë se pas kësaj situate nuk e dinë nëse është e mundur të mbahen zgjedhjet lokale në veri.