Arbëri

Pupovci për Universitetin e Mitrovicës së Veriut: Legjitimimi ndodhi gjatë qeverisjes LDK-PDK

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, i është kundërpërgjigjur LDK-së pas akuzave të bëra në lidhje me gurthemelimin e Universitetit të Mitrovicës së Veriut.

Pupovci ka thënë se e vërteta është se universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është në administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut dhe se këtë e pranon edhe vet LDK-ja, duke iu referuar në reagim Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e po ashtu edhe Ligjit për Arsimin në komuna. Ai thotë se legjitimimi ka ndodhur më 30 dhjetor 2015, kur Qeveria e koalicionit LDK-PDK ka aprovuar Rregulloren 21/2015 përmes së cilës shtetasve të RKS që kanë mbaruar studimet në Universitetin e Mitrovicës së Veriut ju njihen diplomat për qëllime punësimi. Sipas të dhënave zyrtare, deri më 30 prill 2021 janë njohur 1,709 diploma të lëshuara nga ky Universitet.

Por Pupovci thotë se asnjë qeveri deri tash nuk ka legjitimuar një universitet që e mban jo vetëm kundërligjshëm emrin e Universitetit Publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogrameve të Serbisë.

“E vërteta është se “Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut”. Këtë e pranon edhe vet LDK, duke ju referuar në reagim Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ndërsa unë po ja shtoj edhe Ligjin për Arsimin në Komuna, i cili në nenin 14 i jep Komunës së Mitrovicës së Veriut kompetenca speciale për menaxhimin e këtij Universiteti, përfshirë aprovimin e statutit të tij, që për të gjitha universitetet tjera e bën Kuvendi i Kosovës. Këto dy ligje janë aprovuar në majin e vitit 2008, me procedurë urgjente, dhe bëjnë pjesë në legjislacionin vital i cili nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e përfaqësuesve të komunitetit serb. Po besoj se të gjithëve ju kujtohet përbërja e koalicionit qeverisës dhe e shumicës parlamentare në atë mandat. E pavërteta konsiston në pohimin se “asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogrameve të Republikës së Serbisë”. Ne fakt, legjitimimi ka ndodhur më 30 dhjetor 2015, kur Qeveria e koalicionit LDK-PDK ka aprovuar Rregulloren 21/2015 përmes së cilës shtetasve të RKS që kanë mbaruar studimet në Universitetin e Mitrovicës së Veriut ju njihen diplomat për qëllime punësimi. Sipas të dhënave zyrtare, deri më 30 prill 2021 janë njohur 1,709 diploma të lëshuara nga ky Universitet. Nuk e di si mund të legjitimohet më mirë një universitet sesa duke ju njohur diploma. Problemi i Universitetit të Mitrovicës së Veriut është kompleks dhe nuk zgjidhet duke akuzuar, pa asnjë bazë, qeverisjen që nuk ka fare gisht në legjitimimin e tij”, thuhet në reagimin e Pupovcit në Facebook.

LDK-ja në reagim kritikoi zëvendësministrin Pupovci.

“Më skandaloze është deklarata e zyrtarëve të Qeverisë, përkatësisht e zëvendësministrit të arsimit, Pupovci, i cili mban qëndrim se “Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut” dhe se rrjedhimisht ai universitet nuk është një strukturë paralele”. Zëvendësministri duket se harron se asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogrameve të Republikës së Serbisë”, thuhej ndër tjera në reagimin e LDK-së.