Arbëri

LDK: Kurti të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj gurë-themelit të “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”.

LDK-ja përmes një komunikate për media ka thënë se më këtë veprim është de-legjitimuar shteti i Kosovës dhe duke u nëpërkëmbur edhe identiteti i Universitetit të Prishtinës.

LDK-ja ka kritikuar edhe reagimin e zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Popovci i cili, siç thuhet, ka deklaruar se ai universitet nuk është një strukturë paralele.

“Përpos këtij veprimi degradues, e që përforcon më tutje strukturat paralele në veriun e vendit, edhe më skandaloze është deklarata e zyrtarëve të Qeverisë, përkatësisht e zëvendësministrit të arsimit, Popovci, i cili mban qëndrim se “Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut” dhe se rrjedhimisht ai universitet nuk është një strukturë paralele”. Zëvendësministri duket se harron se asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogarmeve të Republikës së Serbisë. Është Qeveria Kurti ajo e cila po i ringjallë e rigjallëron strukturat paralele dhe që dalëngadalë, por me hapa të sigurt, po i rikthen proceset prapa dhe po e ri-instalon Serbinë në Kosovë”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj partie, qeveria Kurti, me gjithë fuqinë ekzekutive dhe shumicën absolute parlamentare që ka, po lejon që ministrat e saj, dhe të Republikës së Kosovës pa dallim, të marrin pjesë në këto aktivitete që de-legjitimojnë shtetin tonë.

“Praktikantët janë strukur e janë shndërruar në spektatorë. Prandaj, ndërmarrja e hapave është e largët këtu. Kryeministri Kurti duhet t’i zëvendësojë deklaratat boshe në Bruksel, me veprime konkrete në territorin e shtetit të tij. Ai duhet menjëherë, e pa vonesë, ta shkarkojë ministrin nga radhët e minoriteteve dhe me çdo kusht të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri”, përfundon reagimi.