Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se numri aktual i të vaksinuarve kundër COVID-19 nuk mjafton që të ndalet hovi i përhapjes së variantit Delta, për çka ka bërë thirrje për më tepër vaksinime.
Ai ka thënë se dy javët e fundit në krahasim me ato para këtyre, numri i të infektuarve është dhjetëfishuar.
“Kapacitetet e spitaleve tona janë të kufizuara dhe në situatën aktuale jemi të detyruar të ndërmarrim masa. Nga 20 gushti do mbyllen klubet e natës, do ndalohen ahengjet, fejesat e dasmat, nga momenti i publikimit të këtij vendimi do shkurtohet orari i gastronomisë, askush nuk mund të futet pa maskë në ambiente të mbyllura apo në transport publik. Të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet me rrezik të lartë do t’u kërkohet certifikata e vaksinimit, testi serologjik apo PCR negativ. Në çdo aktivitet sportiv, kulturorë a shoqërorë, pjesëmarrësit duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit, apo testin serologjik/PCR negativ”, ka thënë Vitia në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë ku u miratuan masat e reja anti-COVID.
Vitia ka paralajmëruar se do të rritet mbikëqyrja për respektimin e këtyre masave.