Arbëri

Kurti e quan domosdoshmëri vaksinimin e mësimdhënësve për fillimin e vitit të ri shkollor

Vaksinimi i mësimdhënësve dhe respektimi i masave anti-COVID-19 po vlerësohet të jetë domosdoshmëri për fillimin e vitit të ri shkollor me prani fizike. Kryeministri Albin Kurti në takim me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se rritja e cilësisë në arsim është synim kryesor.

Ministrja e njoftoi Kurtin për përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2021 / 2022 në arsimin e përgjithshëm parauniversitar.

“Ofrimi i mundësive të barabarta dhe gjithëpërfshirje në arsim për fëmijët nga grupet e margjinalizuara, vazhdon të ketë vëmendje të veçantë. Në këtë drejtim, MAShTI këtë vit ka ndarë 200.000 euro grante për financimin e qendrave burimore”, thuhet në komunikatë.

Qeveria do të angazhohet në optimizimin e kualifikimeve të ofruara nga Arsimi dhe Aftësimi Profesional, bazuar në nevojat lokale të industrisë për të plotësuar hendekun ekzistues të shkathtësive, thuhet tutje në njoftimin zyrtar. Një shembull i kësaj domosdoshmërie na shfaqet edhe në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku ka mungesë të inxhinierëve të energjetikës.

“Për këtë, është bërë verifikimi i 82 kurrikulave të rishikuara me kërkesat e tregut të punës dhe me shoqatat sektoriale, në mënyrë që në vitin shkollor 2022/2023 të fillohet me zbatimin e kurrikulave të rishikuara”.

Gjatë këtij viti, MAShTI do të bëjë një studim fizibiliteti, njofton ZKM-ja, që do të shërbejë si bazë për ristrukturimin e institucioneve përgjegjëse të Arsimit dhe Aftësimit Profesional.

“Avancimi i politikave dhe kornizës ligjore në fushën e arsimit, është një nga aspektet në të cilat është fokusuar Qeveria, prandaj aktualisht është duke u punuar në hartimin e Projektligjit për Agjencinë Kosovare të Akreditimit, atë për Arsimin e Lartë, për edukimin e hershëm, për tekste shkollore si dhe një sërë udhëzimesh administrative”.