Kandidimin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për kryetar të Prishtinës e kanë kritikuar partitë opozitare. Sipas tyre, është shqetësuese që në këtë kohë kur situata epidemiologjike me COVID-19 është përkeqësuar, Vitia ka zgjedhur ta braktisë Ministrinë e Shëndetësisë. Ata thonë se Lëvizja Vetëvendosje, me dashje, po ndërprenë qeverisjen në kohë pandemie, për të cilin veprim i kishte kritikuar ashpër PDK-në, LDK-në e AAK-në kur votuan mocionin e mosbesimit.
Pas mbledhjes së Këshillit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, kjo parti e ka zyrtarizuar kandidimin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për kryetar të Prishtinës.
Në kohën kur është shumëfishuar numri i rasteve të infektimit me COVID-19 dhe kur sistemi shëndetësor po përballet me mungesë serioze të barnave, Vitia po lë anash pozitën e ministrit për ta synuar postin e të parit të kryeqytetit.
Për këtë, ai dhe partia së cilës i takon kanë marrë kritika të ashpra nga opozita.
Në një konferencë për media, nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se është shqetësuese që në këtë situatë alarmante me pandeminë, ministri i Shëndetësisë t’i japë prioritet fushatës zgjedhore.
“Pritjet më të mëdha në këtë kohë të pandemisë janë pikërisht nga Ministria e Shëndetësisë të cilën e kryeson ministri Vitia, i cili tashmë zyrtarisht sipas informatave do të jetë edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Prishtinës... Është tejet shqetësuese”.
Ndonëse nuk kanë kthyer përgjigje për KOHËN, në një postim në “Facebook”, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i ka reaguar LDK-së, duke arsyetuar kandidimin e Vitisë me sigurim të vaksinave.
“VV e Arbeni tek pasi e kanë siguruar armën e vetme dhe më efikase kundër virusit, do të lëshohen në beteja të tjera, madje duke mos e lënë anash asnjëherë pandeminë, ama jo si PLAN-i që e la Kosovën pa asnjë vaksinë”, ka thënë ai.
Kritika ka pasur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, në një përgjigje për KOHËN i ka quajtur hipokritë zyrtarët e LVV-së, duke thënë se kur Vetëvendosje u rrëzua nga pushteti e kishin fjalë kyç pandeminë në çdo diskutim të tyre, ndërsa tani, ai thotë se nuk po u bën përshtypje numri prej 1.336 të infektuarve.