Arbëri

SBASHK-u kritikon ministrin Murati që nuk po takohet për t’ua dëgjuar kërkesat

Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), i ka bërë thirrje ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, që të takohet me ta për t’i dëgjuar kërkesat e punëtorëve të arsimit dhe të punësuarve në sektorët tjerë.

Përmes një letre, SBASHK-u i drejtohet Muratit se “angazhimet e shumta rreth buxhetit dhe çështjeve tjera qe lidhen me Ministrinë e Financave, kanë bërë si duket, që të mos keni durim të merreni edhe me obligimet si Ministër i Punës”.

“Nuk duam të përzihemi në punët e Qeverisë nëse është dashur apo jo të zvogëlohet numri i ministrive, por jemi të bindur se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është dashur të jetë Ministri në vete. Këtë e themi bazuar në realitetin se në Ministrinë e Financave dhe Transfereve keni aq punë e angazhime sa që i nderuar Ministër Murati nuk po iu del kohë që bile një ditë të ndjeheni edhe Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe të uleni e të nxisni dialogun social mes punëdhënësve apo Odave dhe Qeverisë në njërën anë dhe të përfaqësuesve të punëtorëve apo sindikatave në anën tjetër”, thuhet në letër.

Sindikata shkruan se ministri Murati nuk ka kohë për t’u takuar me Këshillin Ekonomik Social, dhe se SBASHK-u i ka dërguar kërkesa zyrtare për takime.

“Por ju i nderuar ministër , sikur keni qasje, apo edhe bindje të gabuar nda sindikatave dhe , nëse është kështu, atëherë kjo është keq. Është keq sepse sa herë kanë munguar takimet dhe dialogu, atëherë gjërat janë përkeqësuar, janë shtuar pakënaqësitë e tensionet dhe pastaj ka ardhur, pa dëshirën e SBASHK-ut dhe ndonjë sindikate tjetër, edhe te veprimet sindikale dhe kur vjen puna deri aty, atëherë, kjo është dëshmuar edhe në të kaluarën, takimet dhe dialogu humbin shumë vlerën e tyre”, thuhet tutje.