1 perditesime
Arbëri

“Mosindividualizimi i veprimeve”, arsyeja pse Apeli e prishi vendimin për lirimin e tij

“Mosindividualizimi i veprimeve”, arsyeja pse Apeli e prishi vendimin për lirimin e tij
FOTO: KOHA
19:12

“Mosindividualizimi i veprimeve”, arsyeja pse Apeli e prishi vendimin për lirimin e tij

Ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, nuk ka përfunduar punë me gjyqësorin.

Gjykatës Themelore në Prishtinë sërish do t’i duhet të vendosë nëse Aliu dhe të tjerët do të gjykohen për korrupsion. Kjo për shkak se Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e shkallës e parë, nëpërmjet të cilit Aliu dhe disa zyrtarë të Komunës së Prishtinës ishin liruar nga akuzat për korrupsion.

I gjithë vendimi i Apelit është përmbledhur në katër faqe.

Aty është përmendur një arsye kryesore se pse për këtë rast duhet të vendoset sërish. Sipas kolegjit të Apelit, gjyqtari i shkallës se parë kur ka vendosur që ta rrëzojë aktakuzën nuk ka dhënë arsyetime veç e veç për secilin të akuzuar.

“Gjykata e Apelit vlerëson se vendimi i gjykatës së shkalles së parë për hedhjen e aktakuzës dhe pushimin e procedurës penale për të gjithë të akuzuarit është i përgjithësuar dhe për të cilat Gjykata ka qenë e obliguar të japë arsyet e qarta dhe konkrete për secilin të akuzuar, ngase nuk kemi të bëjmë vetëm me një të akuzuar, ashtu që në rastin e hedhjes së aktakuzës është dashur që të sqarohen detyrat dhe përgjegjësitë e secilit të akuzuar veç e veç në kuadër të autorizimeve përkatëse dhe se a kanë vepruar të njëjtit në kuadër të këtyre përgjegjësive”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas kësaj gjykate, nuk është bërë në mënyrë të duhur argumentimi se kishte prova të pamjaftueshme në ngritjen e aktakuzës.

Në arsyetimin e aktvendimit të ankimuar nuk janë dhënë arsye se cilat janë ato prova të cilat janë të pamjaftueshme, nga të cilat nuk do të rezultonte dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që iu vihen në barrë.

KOHA ka provuar ta kontaktojë Aliun, por ai nuk u është përgjigjur telefonatave.

Aliu dhe të akuzuarit e tjerë në qershor të këtij viti ishin liruar nga akuza për korrupsion.

Kryetari i trupit gjykues një vendim të tillë e kishte arsyetuar për shkak se ka vlerësuar se ka mungesë të provave, të cilat do të bazonin dyshimin se të akuzuarit kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, në Drejtorinë e Urbanizmit, në Komunën e Prishtinës, kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor të nivelit më të lartë në lagjen “Prishtina e Re”.

16:20

Apeli anulon vendimin e Themelores për ministrin Aliu

Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për anulimin e vendimit dhe rivendosjen e çështjes ndaj ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe të tjerëve.

“Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 14.06.2021, është anuluar dhe çështja i kthehet Gjykatës së njëjtë në rivendosje. Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e datës 14.06.2021, kishte hedh aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 24.07.2020 dhe kishte pushuar procedurën penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U. dhe M.B-P”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Në këtë aktakuzë, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzoheshin edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerrë Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017 si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi.

Me një vendim të Themelores në Prishtinë, më 14 qershor të këtij viti aktakuzat ndaj tyre pushuan.