Arbëri

Zjarrfikësit në gjendje të rëndë, paralajmërojnë protesta

Kosova Press - Në këto ditë kur Kosova po përballet me shpërthime të vatrave të zjarrit në shumë komuna, zjarrfikësit të cilët janë të parët në vijën e frontit u mungojnë kushtet elementare të punës për çka edhe u rrezikohet edhe jeta e tyre

Statusi i padefinuar, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese mes pushtetit lokal dhe qendror, mungesa e kushteve të punës, mospërmbushja e obligimeve nga punëdhënësit për kompensim, janë disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen çdo ditë zjarrfikësit, dhe këto telashe po presin që të zgjidhen nga Qeveria në të kundërtën paralajmërojnë protesta pasi të qetësohet situata në terren.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, thotë se si pasojë e intervenimeve aktuale në terren zjarrfikësit kanë pësuar lëndime të lehta trupore, dhe përkundër kësaj ata po vazhdojnë t’i shërbejnë vendit edhe pse u mungon përkujdesja e nivelit lokal dhe qendror.

“Ka lëndime të lehta, gërvishtje, lëndime të gjymtyrëve ka pasur ankesa që veçse janë paraqitur më e keqja është se në këtë situatë dhe gjendje që janë zjarrfikësit janë pa përkujdesje as nga niveli lokal dhe as nga niveli qendror nuk u ka dal në ndihmë zjarrfikëseve të krijohet një fond emergjent ta quaj që do u kishte dal në ndihmë edhe me pajisje edhe me ushqim edhe në mobilizim. I kanë mobilizuar zjarrfikësit në të gjitha komunat dhe as atë orë jashtë orarit në atë mund nuk i kompensojmë, pakënaqësia është aq e madhe tek zjarrfikësit”, tha ai.

Beka thotë se tashmë i kanë adresuar disa kërkesë Qeverisë së Kosovë dhe me prioritet është çështja e pagesës së orëve shtesë në punë, ndërrimit të natës, festave por edhe definimit të statusit të tyre.

“Kërkesa prioritare bazë është që të definohet statusi i zjarrfikësve, tash aktualisht i shërbyesve civilë, i cili është jashtë çdo kondite, mandej të definohen kompetencat menaxhuese, të definohet qartë a janë staf i ministrisë apo komunave, të dihet punëdhënësi dhe përgjegjësi, kush është i obliguar të krijojë kushte e dimë që këto kërkojnë kohë dhe janë procedura ligjore do të shkojë në komisione dhe Kuvend por kërkesat bazë dhe prioritare që i kanë shkuar edhe qeverisë janë kompensime për ndërrime të natës, festave shtetërore, orët jashtë orarit në mënyrë retroaktive prej 1 janarit dhe harmonizimi i koeficientit në nivel vendit sepse në disa komuna është 4.83 ka laramani e në disa komuna është 5.5 edhe aty janë të diskriminuar”, u shpreh ai.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka thotë se nëse qeveria nuk reflekton karshi kërkesave të tyre pas tejkalimit të kësaj gjendje emergjente zjarrfikësit do të nisin protestat.

“Protestat do të jenë të pashmangshme nëse qeveria nuk reflekton pozitivisht në këto momente. Si përfaqësues të Sindikatës së Zjarrfikësve e kemi pasur vështirë të marrim vendim të hyjmë në protestë kur pasuria e shtetit është duke u dëmtuar nga zjarret e shumta dhe etika profesionale nuk na e ka lejuar nuk kemi pasur forcë të organizojmë protestë në këto rrethana. Mirëpo në momentin që qetësohet situata do i drejtohemi qeverisë do të kërkojmë takim dhe nëse nuk marrim përgjigje pozitive dhe nëse nuk trajtohen zjarrfikësit ashtu siç e meritojnë sipas misionit zjarrfikësit do të reagojnë ashpër Është momentin i fundit është alarmi i fundit që shteti duhet të përkujdeset dhe të ndërroj qasjen ndaj shërbimit të zjarrfikësve”, theksoi Beka.

Beka thotë se shpesh jeta e zjarrfikësve po rrezikohet pasi u mungojnë edhe pajisjet personale por edhe kolektive.

“Në shumicën e komunave mungojnë pajisjet personale për shembull sistemi i radiolidhjeve, i maskave personale i baterive... Pajisjet kolektive me automjete të stërvjetëruara që janë të viteve '74 ka edhe të viteve '60-ta, numri i vogël i vozitësve për shembull në disa komuna e kanë një vozitës në një ndërrim paramendo një vozitës duhet me shkua deri në vend të ngjarjes edhe me u kthye me marr kamionin tjetër përcjellës se nuk ka kush ky është dështim total kështu nuk menaxhohet situata”, deklaroi ai.

Sipas tij, në Kosovë është i vogël edhe numri i zjarrfikësve për kokë banori. Aktualisht në Kosovë janë rreth 900 zjarrfikës, ndërsa për të përmbushur nevojat nevojiten edhe rreth 100 të tjerë.

Kryesindikalisti i zjarrfikësve të Kosovës thotë se nëpër komuna ka numër të vogël të zjarrfikësve dhe ata janë forcë e paktë për të intervenuar në raste kur ka vatra të mëdha të zjarrit sikur po ndodh aktualisht.

“Kosova përafërsisht 888 (zjarrfikës) kanë qenë tash me një ndryshim që janë bërë në komunën e Prizrenit të punësuar dhe disa të tjerë zjarrfikës janë rreth 900 me inspektorë të parandalimit. Mirëpo kur kemi parasysh se janë të shpërndarë në 30 komuna atëherë këta njerëz janë një forcë shumë e paktë, disa komuna i kanë nga 2, 3 apo 4 zjarrfikës në një ndërrim që është një forcë jashtëzakonisht e vogël nuk mjaftojnë, standardet kërkojnë që minimumi të jenë 5 zjarrfikës me 2 apo 3 zjarrfikës nuk menaxhohet një zjarr apo situatë emergjente”, theksoi ai.

Komuna e Malishevës , Suharekës, e Pejës, Prizrenit janë ndër komunat me vatra aktive zjarri, ndërsa policia ka arrestuar disa persona për zjarr vënie të qëllimshme.